Në vazhdën e programeve “Bukuritë e Besimit Islam”, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu dhe kryevaizi i KMSH-së, z. Lauren Luli, kanë mbajtur këtë të premte ligjërata dhe hytben në Xhaminë e Re të qytetit të Pukës.
Në hytbe nënkryetari foli mbi vlerësimin e kohës dhe të mirësive që na ja Allahu. Ai shpjegoi hadithin e Profetit a.s i cili na këshillon që të përfitojmë nga pesë gjëra para pesë të tjerave: nga jeta para vdekjes, nga shëndeti para sëmundjes, nga koha e lirë para angazhimit, nga rinia para pleqërisë dhe nga pasuria para varfërisë”.
“Me anë të këtij hadithi, Profeti ynë i dashur na këshillon të mendojmë dhe të shfrytëzojmë jetën, shëndetin, kohën e lirë, rininë dhe pasurinë, për të dëshmuar cilësi besimi dhe përkushtimi ndaj Zotit, në çdo etapë të jetës tonë”, u shpreh Spahiu.
Ndërkaq në pjesën e ligjëratave të mbajtura gjatë mbrëmjes z. Spahiu dhe z. Luli folën për cilësitë e besimtarit të treguara në Kuran dhe rëndësinë e kohës.
“Nga cilësitë e besimtarit është thjeshtësia, kur i nënshtrohet të Vërtetës dhe kur sillet me të tjerët. Ai është i sinqertë me robërit e Allahut, pavarësisht pozitës apo gjendjes së tyre. Ky sinqeritet gjendet në fjalët, në veprat dhe në qëllimet e tij”, tha kryevaizi Luli.
Ndërsa nënkryetari gjatë ligjëratës tha se koha është një kapital shumë i çmuar dhe i pashembullt për njeriun dhe kur shfrytëzohet në mënyrë të drejtë, mund të arrihet progres në të gjitha sferat e jetës. Koha është jeta e besimtarit dhe në bazë të shfrytëzimit të kohës gjykohet para Allahut. Ai që e shfrytëzon kohën në punë të mira, ai besimtar është i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.
Programet “Bukuritë e Besimit Islam” janë një ndër nismat e KMSH-së dhe do të vazhdojnë çdo javë në xhami të ndryshme të vendit.