gazmend aga me homologun rus

Zv/kryetari i Komunitetit Mysliman të Rusisë, Rushan Abbyasov vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ku u prit nga nënkryetari H. Gazmend Aga.

Pas i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën që mban,  z. Aga u shpreh se  e vlerëson këtë vizitë si shenjë të forcimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Gjatë takimit nënkryetari Aga e njohu klerikun rus me historikun Komunitetit Mysliman nga zanafilla e deri tani si dhe me veprimtarinë e tij të gjithanshme në funksion të përhapjes së fesë dhe kulturës islame ndër shqiptarët.

Nënkryetari Aga bëri një ekspoze të punës 22 vjeçare të institucionit dhe u ndal veçanërisht në veprimtaritë e organizuara prej KMSH-së me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Z. Abbyasov u informua gjithashtu edhe për konferencën e liderëve të bashkësive islame të Ballkanit të organizuar para pak ditësh në Tiranë dhe vendimet e marra në këtë pikëtakim të rëndësishëm në funksion të forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes institucioneve islame të rajonit e më gjerë.

Z. Aga e njohu homologun e tij rus edhe me sistemin arsimor fetar në Shqipëri ku u shpreh se, “sot në të gjithë Shqipërinë kemi 7 komplekse medresesh, ku shumica e tyre japin arsimim për djem dhe për vajza, duke filluar nga 9-vjeçarja, deri në mbarim të shkollës së mesme ndërkohë që prej 2 vitesh është hapur Universiteti Bedër, me 2 fakultete dhe 6 departamente, me 12 programe masteri dhe me degën e Shkencave Islame”.

Nga ana e tij, z. Abbyasov, pasi e falënderoi z. Aga për pritjen e ngrohtë e të përzemërt u shpreh se vlerëson arritjet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në të gjitha drejtimet. Në vazhdim të bisedës, z. Abbasov foli për gjendjen e myslimanëve në Rusi dhe organizimin e jetës islame atje dhe theksoi se të dy vendet kanë ngjashmëri të mëdha në zhvillimin e fesë islame. Ai tregoi se para komunizmit në Rusi kishte mbi 15.000 xhami ndërsa vitet ’90 e gjetën atë me vetëm 100 xhami. Sot, Rusia numëron rreth 7000 xhami, të gjitha të ndërtuara pas viteve ’90.

Z. Abbyasov është një figurë e njohur në Rusi dhe më gjerë si një pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë në shërbim të konsolidimit të vlerave globale të islamit dhe në forcimin e procesit të dialogut dhe mirëkuptimit ndërfetar.

21.05.2013

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë