IMG_5827

Myftinia Mat organizoi të shtunën, datë 25 maj 2013, programin e përvitshëm në përkujtim të figurës më të lartë të njerëzimit, Profetit Muhamed (a.s.).

Në këtë aktivitet të organizuar në pallatin e kulturës së qytetit merrnin pjesë deputeti i Burrelit, z. Bedri Hoxha, nënkryetari i Bashkisë Burrel, z. Mexhid Sina, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së për Matin, z. Artur Koçi, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të rrethit, besimtarë e të ftuar, si dhe shumë të rinj e të reja.

IMG_5847Në fjalën e tij të hapjes myftiu i rrethit, z. Bestar Mera, pasi i uroi të pranishmëve mirëseardhjen, foli shkurtimisht për aktivitetin dhe vlerësoi figurën morale e profetike të Muhamedit a.s. “Jemi sot këtu – nënvizoi z. Mera, – për të kujtuar e nderuar atë njeri të madh që ndriçoi botën me ardhjen e tij. Kjo ngjarje na shërben të gjithëve për t’i kuptuar sa më mirë jetën dhe mësimet e Profetit dhe për të na nxitur të ecim dhe të punojmë në përputhje me to.”

Më tej fjalën e mori fjalën z. Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore në KMSH, i cili theksoi se përkujtimi i Profetit Muhamed është një ngjarje e madhe dhe e përbotshme, pasi ai ishte njeriu që i solli botës mesazhin e paqes dhe harmonisë. “Ky program – tha z. Demetja, – ka për qëllim kujtimin e Profetit dhe përjetimin e ndjenjave të dashurisë dhe respektit për të si rob dhe i dërguar i Allahut. Zoti i dha shumë rëndësi profetit sa e quajti atë “i dashur”dhe emrin e tij Zoti e ka urdhëruar ta përmendim menjëherë pas emrit të tij.” Lidhur me vlerësimin e Muhamedit a.s. si profet dhe personalitet z. Demetja u shpreh: “Profetin e kanë vlerësuar njerëzit më të mëdhenj të kohërave, filozofë, poetë, intelektualë, dijetarë etj., sepse duke lexuar dhe analizuar jetën dhe veprën e tij, e kanë kuptuar të vërtetën.”

IMG_5877

Më pas e mori fjalën z. Bedri Hoxha, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili vlerësoi punën e bërë nga Myftinia Mat gjatë këtyre viteve dhe në mënyrë të veçantë kontributin e saj të vazhdueshëm për edukimin e brezit të ri. “Kam kënaqësi të madhe që marr pjesë në këtë aktivitet, ku nderohet e vlerësohet Profeti Muhamed a.s., njeriu që me moralin e kulluar dhe me virtytet e larta fitoi zemrat e njerëzve dhe admirimin e tyre”, tha z. Hoxha.

Në fjalën e tij nënkryetari i Bashkisë Burrel, z. Mexhid Sina, pasi falënderoi Myftininë Mat si iniciatore të këtij aktiviteti dhe Komunitetin Mysliman për mbështetjen, vlerësoi se veprimtari të tilla i shërbejnë rritjes së vëmendjes për traditën e Profetit për të njerëzit sot, sidomos të rinjtë, kanë nevojë më shumë se kurrë pasi aty gjenden zgjidhje për të gjitha problemet. “Ndër porositë e Profetit Muhamed ishte që ta ruajmë nderin, moralin dhe idealin fetar e kombëtar”, vlerësoi z. Sina.

Gjatë programit u shfaqën dy inserte, njëri për jetën e Profetit Muhamed, ndërsa tjetri në lidhje me kontributin institucional të Komunitetit Mysliman në shërbimin e tij me karakter fetar, kulturor, social e kombëtar. Shumë domethënëse ishin dhe ilahitë dhe pjesët poetike që u interpretuan nga Romelda Qosja, Andon Borhani dhe Erald Skura, të cilët ngjallën emocione tek auditori.

Në mbyllje të programit për pjesëmarrësit u dhuruan numra të ndryshëm të revistës “Drita Islame”.

IMG_5884

/Drita Islame/

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë