Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Bujar Spahiu mori pjesë në sesionin shkencor “Kurani te shqiptarët”, në Kosovë, organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, në kuadër të 30 vjetorit të përkthimit të parë të Kuranit në gjuhën shqipe.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari Spahiu shprehu mirënjohje të thellë për përtkhyesit e Kuranit në gjuhën shqipe që me kontributin e tyre ndërtuarn urat lidhëse mes shqipfolësve dhe Librit të Gjithësisë.
Ai u shpreh më tej se Kurani është një libër universal dhe gjithëpërfshirës.
“Kurani është një libër hyjnor, universal, i pakufizuar në hapsirë dhe kohë. Ai i drejtohet juristit, socilogut e psikologut, filozofit, fizikantit e kimistit, inxhinierit e bujkut, gjithkujt, në çdo kohë dhe çdo niveli apo shtrese sociale. Çdo kush e gjen veten tek Kurani dhe do të jetë në gjendje të marrë atë çka i duhet”, tha z. Spahiu.
Në këtë aktivitet dy ditor, morën pjesë përfaqëues nga të tre bashkësitë islame shqiptare si dhe studiues nga të gjitha trevat shqiptare.
Në sesionet shkencore Shqipëria përfaqësohej nga kryevazisi i KMSH, z. Lauren Luli, me tëmën: “A u vonuan shqiptarët në përkthimin e Kuranit?” si dhe Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi dhe z. Veton Tulla, të dy profesorë të Universitetit Bedër me temën “Poema Erveheja si jehonë në kulturën shqiptare”, si një tërësi e porosive profetike dhe Kuranore për gruan.
Botimi i parë i plotë i përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe doli në Prishtinë, në vitin 1985, me përkthyes z. Feti Mehdiu.
28 dhjetor 2015