Është zhvilluar sot në Librazhd forumi i diskutimit: “Forcimi i rolit të imamëve përballë sfidave bashkëkohore”, me imamët e myftinisë së Librazhdit.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Ali Zaimi, i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se imami luan një rol mjaft të rëndësishëm për përçimin e vlerave më të mira në shoqëri.
“Sot qyteti i Librazhdit por edhe shoqëria në tërësi falë kontributit tuaj gëzon mjaft vlera të larta njerëzore. Por, në çdo kohë na presin përgjegjësi të reja dhe ne duhet të jemi të gatshëm dhe të aftë t’i përballojmë dhe të përcjellim në shoqëri vlerat më të larta njerëzore”, tha z. Zaimi.
Nënkryetari Zaimi u shpreh gjithashtu se Komuniteti Mysliman po përpiqet që t’u sigurojë imamëve kushtet dhe hapësirat e nevojshme në mënyrë që ta kryejnë sa më mirë rolin që ata kanë në shërbim të shoqërisë.
Edhe drejtori i Thirrjes në Islam në KMSh, z. Elvis Naçi u shpreh se roli i mamit në shoqëri përballë sfidave të kohëve moderne është mjaft i rëndësishëm dhe duhet përforcuar edhe më shumë.
“Çdo besimtarë është mëkëmbës i Zotit në tokë. Problemet e ditëve të sotme, sidomos ato që lidhen me radikalizmin nuk i përkasin fesë sonë. Qëllimi ynë dhe i cdo imami është qartësimi dhe orientimi i besimtarëve në rrugën e paqes”, tha z. Naçi.
Në takim përshëndetën edhe Myftiu i Librazhdit z. Taulant Bica dhe anëtari i këshillit të përgjithshëm të KMSH-së z. Arben Ramkaj.
Myftiu i Librazhdit falenderoi organizatorët dhe theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla të cilat sjellin në pah problematikat dhe japin sugjerime për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Gjithashtu në forum mbi rolin e imamit foli edhe studiuesi z. Fabian Zhilla. Ndërkohë hapja e forumit u bë nga Gjergji Vurma, përfaques i IDM-së.
Takimi vijoi edhe me diskutime nga të pranishmit ku dolën edhe sugjerime konkrete për të forcuar traditat e bukura të trashëguara ndër breza në vendin tonë.
Ky forum organizohet nga Komuniteti Mysliman në bashkëpunim me IDM Albania, me synim forcimin e rolit të imamëve në shoqëri.