Programi “Bukuritë e Besimit Islam” është zhvilluar këtë të martë në Laç, ku ishin të pranishëm nënkryetari i komunitetit Mysliman, Ali Zaimi dhe Kryevaizi Lauren Luli.
Në fjalën e tij, nënkryetari Zaimi u shpreh se besimi islam është ushqimi i shpirtit dhe i zemrës, është stolia dhe bukuria e jetës së kësaj bote, e mbi të gjitha është rruga dhe bileta e mirësive pafund të botës së amshuar.
“Prandaj ta ndriçojmë jetën tonë me besim, ta zbukurojmë me adhurim e punë të hajrit, si dhe ta ruajmë duke u larguar nga çdo e keqe e mëkat, që Allahu për të mirën tonë na i ka ndaluar.”, nënvizoi nënkryetari Zaimi.
Ndërsa Kryevaizi Lauren Luli foli rreth rëndësisë së vendeve ku tubohen besimtarët për të biseduar rreth vlerave universale të islamit. “Besimtari është i përkushtuar në çdo punë që ajo të jetë brenda kufirit të së lejuarës, e pëlqyer nga Allahu e që ajo të përfundojë me sukses dhe duke iu mbështetur Allahut përfundimin e pret nga Ai.”, tha Kryevaizi Luli
Ndërkohë Myftiu i Laçit, Emirjon Vathaj, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla dhe falënderoi përfaqësuesit dhe xhematin për praninë.
Në fund të programit besimtarëve iu shpërnda ujë i bekuar Zemezi.
1 mars 2016