[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=V2z8VPilgMI&feature=youtu.be”]

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman, organizoi simpoziumin me temë: “Shumë role në një dorë”, ku u trajtuan tema të ndryshme mbi rolin dhe detyrimet e gruas në shoqëri.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se Islami është një fe e drejtësisë, dhe i sheh të barabartë si burrin ashtu edhe gruan.

“Islami si fe, obligon barazinë e te drejtave, përgjegjësive dhe detyrave të dy gjinive, sepse bazohet në drejtësi, dhembshuri dhe respekt për njeriun pavarësisht gjinisë. Gruaja është nga faktorët më të rëndësishëm brenda familjes, ndërsa familja është institucioni i parë më me rëndësi në shoqëri”, theksoi z. Spahiu.

Ndërsa nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Brunilda Paskali, e pranishme në aktivitet, u shpreh se nënat, gratë dhe vajzat janë shpirti i familjes dhe themeli i ndërtimit të shoqërisë bashkëkohore.

“Natyrisht ne të gjitha jemi dakord që nënat gratë vajzat, janë ato që i japin jetë jetës, janë shpirti i institucionit të familjes apo janë edhe themeli i ndërtimit të një shoqërie të zhvilluar dhe bashkëkohore.”, tha me të tjerash znj. Paskali.

Programi ka vijuar më pas me trajtimin e temave të ndryshme mbi rolin që ka gruaja në shoqëri, detyrat, por edhe sfidat e saj në ditët e sotme, nga Gazetarja Rudina Xhunga, Sociologu Gëzim Tushi dhe teologu Veton Tulla.

“Ky simpozium për familjen është shumë i rëndësishëm, bëhet në një moment shumë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, kur ky institucion për shkak të ndryshimeve dhe transformimeve që ka pësuar, për mirë dhe për keq ndodhet në një situatë ja fort të mirë.”, tha z. Tushi.

“Të mundohesh ta rregullosh pragun e asaj dere që të fut te shtëpia jote, ajo është shumë e rëndësishme, të kujdesesh për botën jashtë pragut, të japësh më të mirën, të flasësh kur diçka nuk shkon, të ngresh zërin për arsimimin, për shëndetësinë, për qeverisjen,  sepse bëhet fjalë për atdheun e fëmijës tënd.”, tha znj. Xhunga.

“Duhet të theksojmë se Islami ka shpallur barazinë në krijimin e mashkullit dhe femrës, të njerëzve, të çfarëdo race dhe përfundimisht, të mbarë njerëzimit.”, tha z. Tulla.

Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, znj. Fatma Karaj, e cila moderoi edhe simpoziumin, u shpreh se ky është një ndër aktivitetet e shumta që  Komuniteti Mysliman ka realizuar mbi çështjet e gruas shqiptare, sipas saj, gruaja duhet të jetë e pranishme në çdo fushë të jetës.

“Programi i sotshëm vjen në vazhdën e një sërë panelesh dhe aktivitetesh që kjo zyrë, ka organizuar ku janë trajtuar çështje të gruas shqiptare në përgjithësi dhe asaj myslimane në veçanti.  Gruaja duhet të jetë në çdo fushë të jetës, në politikë, art, jetë akademike, ekonomi, edukim, etj.”, tha znj. Karaj.

E pranishme në aktivitet ishte edhe bashkëshortja e kryeministrit, znj. Linda Rama, drejtues të KMSH-së, përfaqësuese të trupit diplomatik, intelektualë/e, përfaqësuese të biznesit dhe jetës kulturore të qytetit.

4 mars 2016

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë