Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim zhvilluan në Kukës forumin e diskutimit: “Forcimi i rolit të imamëve përballë sfidave bashkëkohore”, me imamët e myftinisë së Kukësit dhe Dibrës.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Ali Zaimi, i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se imami ka një funskion jashtëzakonisht të rëndësishëm në komunitet por nga ana tjetër mundësia për të shpjeguar Islamin është një mirësi.
“Detyra e të shpjeguarit të Islamit është një mirësi e madhe nga Zoti i gjithësisë. Përpjekja juaj është garanci që shoqëria të jetë më e përgjegjëshme, me stabilitet dhe me më shumë vlera”, tha z. Zaimi.
Drejtori i Thirrjes në Islam në KMSh, z. Elvis Naçi foli mbi bukuritë e fesë Islame ndërsa mbi rolin dhe sfidat e imamit foli studiuesi z. Fabian Zhilla.
Gjithashtu në takim përshëndetën edhe Myftiu i Kukësit, z. Islam Hoxha dhe Myftiu i Dibrës, z. Muiz Kurtulla.
Takimi vijoi edhe me diskutime nga të pranishmit ku dolën edhe sugjerime konkrete për të forcuar traditat e bukura të trashëguara ndër breza në vendin tonë.
Ky forum organizohet me synim forcimin e rolit të imamëve në shoqëri.