Medreseja e Tiranës organizoi të premten një program artistik kushtuar Kuranit.
Në këtë aktivitet të ndërthurur me leximin e ajeteve të Kuranit, ilahi, poezi, dhe aktrim, u përçuan mesazhet dhe vlerat universale të Islamit.
Në program morën pjesë, kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj, rektori i Universitetit Bedër, z. Ferdinand Gjana, drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Omer Çallësh, mesues, prindër dhe nxënës.
Kryetari i KMSH-së z. Skënder Bruçaj, vlerësoi nxënësit e Medresesë, për vullnetin dhe dëshirën e tyre në përvetësimin dhe përcjelljen e mesazheve të Kuranit.
“Kurani është drita e amshueshmërisë, dhe sa më shumë ta njohim dhe ta lexojmë aq me afër do i jemi harmonisë shpirtërore.”, u shpreh z. Bruçaj.
Drejtori i shkollës, Omer Çallësh, bëri të njohur qëllimin e organizimit të këtij programi, teksa u shpreh: “Me këtë program duam të të promovojmë edhe njëherë mesazhet e larta të Kuranit, mesazhet e jetës. Allahu e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimeve të Kuranit”.
Ndërsa rektori i Universitetit Bedër, z. Ferdinand Gjana falenderoi Medresenë e Tiranës për kontributin e saj dhe punën e palodhur të stafit në ndërtimin e një brezi premtues, duke i njohur ata me besimin dhe shkencën njëkohësisht.
Gjatë këtij programi u transmetua edhe reportazhi i realizuar nga Komuniteti Mysliman, “Mrekullia e Kuranit”. Nxënësit e Medresesë aktruan pjesë teatrale duke sjellë në vëmendje mikpritjen dhe respektin e mbretit të Abisinisë, Nexhashiut, ndaj myslimanëve.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Universitetit Bedër.
18 mars 2016