Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Bashkësisë Islame në Republikën e Kroacisë, është mbajtur në Zagreb takimi me temë: “Muslimanët në Evropë – trashëgimia dhe e ardhmja”, me përfaqësues të komuniteteve islame të Evropës.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u përfaqësua në këtë organizim nga nënkryetari Bujar Spahiu.
Nënkryetari i KMSH-së theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe u shpreh se feja islame shërben për të ngritur një shoqëri me morale dhe virtyte të larta, me ndjenja atdhedashurie dhe sakrifice. Sipas tij islami i ka shërbyer çdo shoqërie për të përparuar drejt të vërtetës dhe lumturisë.
Gjatë këtij takimi u theksua roli dhe trashëgimia që ka luajtur Islami në Kroaci por edhe më gjerë.
Myftiu i Zagrebit, Aziz ef. Hasanoviç i cili njëherësh edhe kryeson Bashkësinë Islame në Kroaci, tha se përvojat e tyre dhe format ligjore mund t’iu shërbejnë të gjithëve në zgjidhjen e çështjes së statusit dhe rregullimin e marrëdhënieve mes komuniteteve fetare dhe shoqërisë.
Gjithashtu ditën e sotme është organizuar një seancë plenare ë veçantë, ndërkohë Presidenti i Kroacisë ka pritur në një takim në Teatrin Kombëtar, përfaqësuesit e komuniteteve islame të Evropës.
Ky organizim u bë nën kujdesin e veçantë dhe sponsorizimin e presidentit të Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic, Parlamentit Kroat, Qeverisë Kroate dhe qytetit të Zagrebit.
27 prill 2016