Është përuruar paraditen të hënën (3 Qershor 2013) qendra kulturore fetare në Bathore.
Kjo qendër e konceptuar si kompleks multifunksional e ndërtuar pranë xhamisë së Bathores, është e përbërë nga ambiente shërbimi , klasa, biblioteka, salla e konferencave për aktivitete fetare e kulturore. Aty do të zhvillohen kurse të mësim-besimit, Kur’anit, gjuhëve të huaja, etj.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nënkryetari Bujar Spahiu, Drejtori i Arsimit Altin Shima, Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, si dhe përfaqësues të pushteti lokal e vendor, si Zëvendëskryeministri Myqerem Tafaj, si dhe kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu si dhe banorë të shumtë të Bathores.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Spahiu, u shpreh se ndërtimi i qendrave të tilla në Shqipëri është shumë i domosdoshëm pasi ato rigjallërojnë jetën kulturore e fetare të vendit përkatës në të cilën operojnë.
Edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe qendror e vlerësuan ndërtimin e një objekti të tillë pasi siç thanë ata njerëzit kanë nevojë për vende të tilla ku të mësojnë më shumë rreth fesë e besimit dhe të zhvillojnë së bashku aktivitete të ndryshme.
Qendra u financua nga shoqata kuvajtiane Bejtuz Zeka.