ZK1A6424

Është inauguruar këtë të enjte xhamia e re në Golem të qytetit të Kavajës.

Në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore, me lexim Kur’ani, ilahi interpretime të ndryshme dhe me përshëndetjen e të ftuarve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, u hapën dyert e xhamisë më të re në Golem.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava, kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, z. Sulejman Rexhepi, ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri z. Fayez Mishari Al-Jassim, nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, kontribuuesi nga Kuvajti, z. Es’ad Es Sene, myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, nënprefekti i Tiranës, z Fatos Kaja, nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, z. Pardi Xhihani, përfaqësues të ambasadave të vendeve myslimane dhe të shoqatave të ndryshme, myftinj, imamë dhe qindra besimtarë.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj u shpreh se xhamia e re është një derë drejt adhurimit të Zotit, si dhe një vatër e edukimit me vlerat e larta të Islamit. Ai falënderoi donatorët dhe tha se ky veprim i saj dëshmon në vetvete madhështinë e Islamit, që i bën myslimanët anembanë botës vëllezër besimi.

“Profeti Muahmed a.s kur shkoi në Medinë, ndërtesa e parë që ndërtoi ishte xhamia. Pikërisht në xhami fillon edhe civilizimi Islam. Xhamia është një derë drejt adhurimit të Zotit, si dhe një vatër e edukimit me vlerat e larta të Islamit. Në këtë vend mësojmë se si të bëhemi njerëz të devotshëm, me moral të lartë dhe të denjë për shoqërinë. Xhamia është vendi ku kryen adhurimet dhe lartësohet emir i Krijuesit të Gjithësisë”, tha ndër të tjera kryetari Bruçaj.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, z. Sulejman Rexhepi u shpreh se kjo xhami do të jetë një mburojë për të gjithë banorët e kësaj zone. Ndërtimi i kësaj xhamie reflekton dashurinë që banorët e kësaj zone kanë për Islamin.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava u shpreh se kjo është dhurata më e bukur që i është bërë kësaj zone në prag të Muajit të Bekuar, Ramazanit. Ai tha së kjo xhami e ndërtuar pranë shkollës së kësaj zone tregon se qëllimi i të dyjave është përgatitja dhe përparimi i shoqërisë.

Gjatë ceremonisë përshëndeti edhe kontribuuesi nga Kuvajti, Es’ad Es Sene, i cili tha se Islami ishte feja e cila na solli kaq të mira dhe na bëri njerëz të dashur. Qëllimi ynë është që fjalën e Zotit ta përhapim sa më shumë, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë individë të shoqërisë.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini.

Ndërkohë që gjatë ceremonisë interpretoi edhe aktori i mirënjohur Reshat Arbana.

19 maj 2016

 

ZK1A6323   ZK1A6474 ZK1A6540 ZK1A6640

ZK1A6299ZK1A6251 ZK1A6676ZK1A6282 ZK1A6706 ZK1A6776 ZK1A6809

 

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë