Zhvillohet në Lezhë simpoziumi me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. Në këtë aktivitet të organizuar nga Myftinia e Lezhës u trajtua rëndësia, vlerat dhe dobitë e Ramazanit për njeriun, familjen e shoqërinë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryevaizi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Lauren Luli, drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, Dorian Demetja, Myftiu i Lezhës, Agim Tereziu, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, prefekti i rrethit, përfaqësues nga Kisha Katolike si dhe besimtarë të shumtë.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, Dorian Demetja foli për vlerat e muajit të Ramazanit.
“Vlerat e muajit të Ramazanit janë të mëdha e të panumërta. Në agjërim shfaqet forca e besimit dhe vendosmëria në adhurim. Në agjërim shpirtrat e besimtarëve manifestojnë nënshtrim ndaj urdhrave të Allahut. Duke u larguar nga dëfrimet dhe pasionet, agjëruesit lënë mënjanë dëshirat për premtimin e Xhenetit që nuk e kanë pare”, tha ndër të tjera Demetja.
Ndërsa kryevaizi referoi për mirësitë që fitohen nga njeriu gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit.
“Ramazani është një mundësi e mirë që njeriu të kuptojë vlerën e mirësive që i ka dhënë Allahu dhe ndërkohë me sakrificën e tij të tregojë devotshmërinë e tij në adhurim. Në këtë mënyrë besimtari ripërtërin vlerat e larta morale bëhet më i vlefshëm në raport me Allahun dhe me njerëzit”, u shpreh Luli.
Myftiu i Lezhës u shpreh se Ramazani është muaji i lartësimit dhe i lirisë shpirtërore. Ky është muaji ku të pasurit nxiten të mendojnë më shumë për të varfrit, dhe njerëzit në përgjithësi priren t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre familjare dhe shoqërore.