Universiteti Bedër zhvilloi ceremoninë e diplomimit të studentëve në programin Bachelor dhe Master për vitin akademik 2015 – 2016.
Në ceremoninë e diplomimit ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj, personalitete të shumtë nga bota akademike, përfaqësues institucionesh publike e private, si dhe familjarë e të afërm të të diplomuarve.
Kjo ceremoni përkon gjithashtu me 5 vjetorin e themelimit të Universitetit Bedër, cikël ky i cili numëron një sërë arritjesh në fushën akademike dhe atë të kërkimit shkencor.
Në këtë aspekt mund të përmendet organizimi i dhjetëra konferancave kombëtare e ndërkombëtare, leksioneve të hapura me të ftuar të shumtë nga fusha të ndryshme, organizimin e dhjetëra seminareve me tematika të larmishme bashkëkohore, si dhe një numri të konsiderueshëm aktivitetesh ekstrakurrikulare me qëllim aftësimin profesional të studentëve.
Pjesë e pandashme e këtij 5 vjeçari janë edhe programet e shkëmbimit apo praktikat profesionale të cilat i kanë shoqëruar studentët përgjatë çdo viti akademik, pa harruar këtu përfaqësimin e Shqipërisë në kompeticionet dhe projektet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u shpreh entuziast për arritjet e deritanishme të institucionit, duke e vënë theksin mbi diplomimin e brezave të aftë për tregun e punës në Shqipëri e më gjerë.
“Të gjithë e dimë që vendi ynë nuk është ndër vendet më të mëdha e të fuqishme në botë, e gjithashtu që të gjithë jemi të vetëdijshëm, që nuk është hapësira ideale për të pasur një jetë me standarde të larta, krahasuar këto me Europën, apo shtetet e zhvilluar. Por dua t’ju them, se të jeni të bindur se ky vend ka nevojë për ju, ka nevojë për të rinj të formuar profesionalisht, që kanë një karakter të mbushur me virtyte. Prandaj edhe nëse do të mendoni të punoni apo të studioni diku jashtë vendi, nëpër botë, patjetër planifikoni edhe një kthim për të dhënë diçka, për të kontribuar aq sa do të mundni për Shqipërinë tonë. Sepse vetëm ashtu ajo do mund të behët më mirë” – tha ai.
Më tej ceremonia vazhdoi me përshëndetjen e studentëve të ekselencës dhe atyre të huaj.
Deri më tani ky institucion numëron rreth 400 studentë të diplomuar në programet bachelor nga të cilët 136 prej tyre janë të diplomuarit e këtij viti gjithashtu dhe 90 studentë në të gjitha programet master. Ndërsa të diplomuarit e këtij viti ishin nga dhjetë vende të ndryshme të botës.