Falja e fiter bajramit 2016 (5)

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë sot festën e Fitër Bajramit.

Mijëra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Fitër Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe qindra mijëra të tjerë në sheshet e çdo qyteti të vendit.

Besimtarët janë mbledhur në sheshe për të përcjellë një muaj të bekuar, falës dhe të mëshirëshëm. Një muaj që i bashkoi në sofrat e bujarisë, i ndriçoi netët me namaz dhe i qetësoi zemrat me Kur’an, duke edukuar veten përmes sakrificës.

Fajla e namazit të Bajramit në Tiranë është realizuar si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Festimet e Fitër Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut, namaz i falur nga imami i Qabes, Shejh Salih Bin Talib, i cili ka mbërritur në Shqipëri me ftesë të Komunitetit Mylsiman, posaçërisht për këtë ditë.

Para faljes së namazit të Fitër Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër.

Programi ka filluar me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë së “Et’hem Beut”, z. Elton Karaj.

Ceremonia ka vazhduar me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës.

“Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë.
Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit.
Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit.”, tha mes të tjerash kreu Bruçaj.

Ndërsa mysafiri nga Meka, Shejh Salih Bin Talib, u përcolli besimtarëve përshëndetjet e mbretit të Arabisë Saudite, dijetarëve të dy xhamive të shenjta, si dhe të gjithë besimtarëve arabë. Ai gjithashtu u lut për paqe, mirëqenie, siguri e stabilitet për mbarë pupullin shqiptar.

Në ligjëratën e tij të shkurtër ai u ndal në parimet kryesore të fesë islame duke kërkuar që të jemi gjithmonë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për t’i zbatuar ato. Shejh Talib gjithashtu vuri theksin te respektimi i të drejtave të grave dhe kujdesi për ta.

Falja e Namazit të Fitër Bajramit u drejtua nga imami Shejh Talib dhe më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra.

“Me lutjen që ky muaj i bekuar të ketë lënë në shpirtrat tanë ndjesitë më të bukura e më të vyera, festojmë sot me dëshirën për të vazhduar punët e mira e për t’u drejtuar me sinqeritet drejt kënaqësisë së Zotit.”, tha mes të tjerash myftiu Gurra.

Ndërsa moderatori i programit, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në KMSH, z. Oltion Kola, u shpreh se Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, dita ku kujtojmë njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet dhe e projekteve të veprave të mira, dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Më pas besimtaët e pranishëm në shesh janë shpërndarë për të festuar në familjet e tyre.

5 korrik 2016

Falja e fiter bajramit 2016 (15)Falja e fiter bajramit 2016 (1)

13613611_1112674368793117_9023775441821972161_oFalja e fiter bajramit 2016 (3)  Falja e fiter bajramit 2016 (2)  Falja e fiter bajramit 2016 (4)  Falja e fiter bajramit 2016 (6) Falja e fiter bajramit 2016 (7) Falja e fiter bajramit 2016 (8) Falja e fiter bajramit 2016 (9) Falja e fiter bajramit 2016 (10) Falja e fiter bajramit 2016 (11)   Falja e fiter bajramit 2016 (14)Falja e fiter bajramit 2016 (13)

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë