Fshati Skroske i Prrenjasit është zbukuruar me një xhami të re. Në inaugurimin e saj morën pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, myftiu i Librazhdit, z. Taulant Bica, nënkryetari i Bashkisë së Prrenjasit, z. Nuri Belba, drejtori i shoqatës Mirësia, z. Korab Kaja, si dhe besimtarë të shumtë të zonës.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit u shpreh se xhamia është burim dashurie dhe respekti.
“Xhamia është një vatër edukimi dhe burim dashurie. Shpreh nderin dhe mirënjohjen për donatorët dhe shoqatën që bëri të mundur ndërtimin e kësaj vepre të bukur kulti. Kjo xhami kërkon që të frekuentohet vazhdimisht. Në këta xhami do të mësoni vlerat më të larta njerëzore, dashurinë, respektin, harmoninë dhe afrimin me Allahun”, tha z. Spahiu.
Myftiu i Librazhdit, Taulant Bica u shpreh se kjo xhami do të shërbejë si vatër e përçimeve të mesazheve dhe vlerave islame për banorët e zonës.
Kjo xhami është ndërtuar me kontributin financiar të shoqatës Zekat House – Kuvajt dhe fondacionit “Mirësia”.