Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu, i shoqëruar nga drejtori i Burimeve Njerëzore Dorian Demetja, Myftiu i Korçës, H. Qazim Muçi, Myftiu i Pogradecit Namik Mahmutllari si dhe myftiu i Devollit Artur Vrenozi, zhvilloi një vizitë në xhaminë “Iljaz bej Mirahori”, e cila po i nënshtrohet restaurimit të plotë falë investimit të shoqatës turke “TIKA”.
Pasi ka parë nga afër rezultatin e punimeve të deritanishme, nënkryetari Spahiu është shprehur i kënaqur për ecurinë e tyre, për cilësinë si dhe angazhimin maksimal të investitorëve në këtë projekt.
Ai takoi dhe bisedoi edhe me punonjësit të cilët i falënderoi përzemërsisht dhe i vlerësoi për punën dhe dëshirën e tyre të madhe për ta përfunduar sa më shpejt këtë objekt kulti me vlera të jashtëzakonshme për qytetin dhe rajonin e Korçës.
Myftiu Qazim Muçi nga ana e tij e garantoi z. Spahiu se për një periudhë afërsisht tremujore, kjo xhami do të hapë sërish dyert e saj për të pritur besimtarët për kryerjen e adhurimeve dhe aktiviteteve të tjera fetare e kulturore.