Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj mori pjesë ditën e mërkurë në konferencën: “Bashkë Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, e zhvilluar në Elbasan nga OSBE-ja në bashkëpunim me myftininë e këtij rrethi.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari Brucaj, pohoi se ndër breza është përcjellë një frymë bashkëpunuese ndërmjet komuniteteve, e cila vazhdon të ruhet edhe sot. “Toleranca, harmonia dhe bashkëjetesa me njëri-tjetrin është një vlerë të cilën ne e kemi trashëguar ndër shekuj dhe fatmirësisht e ruajmë edhe sot.”, tha më tej z. Bruçaj.
Ambasadori i OSBE-së z. Bernd Borchardt, tha se Shqipëria dhe sidomos Elbasani kanë një traditë të tolerancës fetare për të cilën janë krenarë. “Ky është një ndër tiparet dalluese të vendit tuaj. Prandaj ne duhet të jemi të bashkuar për t’i larguar të rinjtë nga fryma e urrejtjes e aq më keq nga ajo e radikalizmit.”, nënvizoi ambasadori Borchardt.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, vlerësoi Elbasanin si një nga qytetet që ka përcjellë jo vetëm dije e arsim por edhe tolerancë dhe harmoni fetare.
Ndërsa Myftiu i Elbasanit z. Agim Duka, e vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar dhe edukimit të të rijve me këtë frymë si një nga rrugët më të mira për t’i bërë ballë ekstremizmit dhe radikalizmit fetar.
Gjatë diskutimeve të mëtejshme në konferencë u fol mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar si një nga mundësitë për t’i bërë ballë urrejtjes fetare dhe ekstremizmit të mundshëm.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, kryetari i bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, kryetari i komitetit mysliman të Shqipërisë, Skender Brucaj, këshilltari i kryeministrit për Sigurinë Sandër Lleshi, Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në KMSH, Fejzi Shaholli, Drejtori Rinisë, Armand Shehu, Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, Fatma Karaj si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të shoqërisë civile.
12 tetor 2016
bashkë kundër ekstremizmit të dhunshëm