Më 18 janar 1991, pas afro tre dekadash ndalimi të besimit në Shqipëri, në Tiranë do të rihapej xhamia e Ethem Beut, nga një grup nismëtarësh myslimanë si: Xhavit e Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rusheku, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, etj.
Rihapja e kësaj xhamie u bë me një ceremoni modeste, por që njohu një pjesëmarrje të gjerë, të cilën e dëshmojnë edhe këto fotografi të asaj kohe, të shkrepura nga Hysen Gostivari.
Në fytyrat e pjesëmarrësve lexohet qartë gëzimi për këtë ngjarje të madhe, e cila shënonte rikthimin e besimit në jetën e tyre, pas një diktature të shfrenuar dhe një regjimi të ashpër komunist, i cili u përpoq të çrrënjosë fenë dhe besimin, por që kurrë nuk ia doli mbanë.
Atë të premte janari për qytetarët e Tiranës kishte zbardhur një ditë e madhe, e cila do të ringjallte shpresën për ditë më të mira.