Panairi i bamirësisë : “Stop dhunës, bëhu rreze shprese”
Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale pranë Bashkisë së Tiranës organizuan sot panairin e bamirësisë në ndihmë të grave të dhunuara.
“Stop dhunës, bëhu rreze shprese”, ishte motoja e këtij panairi ushqimor, të ardhruat e të cilit do të shkojnë për gratë e dhunuara.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga, i pranishëm në aktivitet u shpreh se është fatkeqësi që në shekullin 21, në vitin 2017, në Shqipëri, por jo vetëm, akoma vazhdon dhuna ndaj gruas, akoma vazhdon diskirminimi i femrës.
“Ne si Komunitet Mysliman, e shohim si përgjegjësi të madhe, jo vetëm mosdiskriminimin e gruas, por rritjen e ndërgjegjësimit të vlerësimit të saj dhe dhënies më shumë rol në shoqëri. Profeti Muhamed a.s., thotë se më i miri prej jush është ai që sillet me mirë me bashkëshorten e tij dhe unë jam më i miri prej atyre që sillen mirë me bashkëshorten.”, nënvizoi z. Aga.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës znj. Brunilda Paskali, tha se Bashkia e Tiranës është angazhuar në ngritjen e një organizmi referimi të rasteve të dhunës në familje që jo vetëm t’u vijë në ndihmë të dhunuarave por edhe të parandalojë rastet e dhunës.
“T’i themi jo dhunës ndaj grave dhe vajzave, ne kemi detyrimin që të kontribuojmë fort dhe vazhdimisht për parandalimin e transmetimit të këtij virusi të keq të dhunës në familje në brezat e gjeneratës së re dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë së bashku”, tha znj. Paskali.
Kryetarja e Kulteve znj. znj. Loreta Aliko Konomi, pasi përgëzoi organizatorët, tha se prania jonë sot këtu është një detyrim moral, ndaj të gjitha nënave, motrave, vajzave që kanë vuajtur dhunën, por njëkohësisht edhe dëshmi e forcës dhe dinjitetit që gruaja duhet të ketë në familje dhe shoqëri.
“Një shoqëri nuk mund të quhet e emancipuar kur nuk lufton shfaqjet e dhunës, kur nuk njeh barazinë gjinore apo kur nuk përfshin gruan në jetën politike dhe ekonomike të shoqërisë”, nënvizoi znj. Aliko.
Përgjegjësja e Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman znj. Fatma Karaj, bëri thirrje që të bashkohen së bashku në forma dhe mënyra të ndryshme dhe të japin kontributin moral, intelektual, qytetar e fizik për të mbrojtur të drejtat e grave.
“Një nënë e dhunuar, një grua e dhunuar, një motër e dhunuar, një vajzë e dhunuar, është një e nesërme me më pak shpresë për njerëz të mirë. Ndaj çdo rast dhune ndaj një femre duhet të na bëjë të ndihemi më pak dinjitozë në jetën tonë, më të varfër në buzëqeshjet tona”, theksoi znj. Karaj.
Aktiviteti mblodhi qindra pjesëmarrës, të cilët dhanë kontributin e tyre.
3 mars 2017