Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Myftininë e Kavajës dhe Bashkinë e Kavajës organizuan ditën e martë me datë 8 Gusht rivarrimin e dijetarit dhe atdhetarit të madh Hafiz Ali Korça.

Duke parë gjendjen e varrit, ambjentin ku ai ndodhej dhe rrezikun e shembjes, u vendos që eshtrat e dijetarit Hafiz Ali Korça të preheshin në varrezat e qytetit të Kavajës.

Nën kujdesin e Myftinisë së Kavajës, Bashkisë së Kavajës dhe të pranishmëve u organizua ceremonia e rivarrimit.

Pas rivarrimit, në përkujtim të figurës së shquar u mbajt një simpozium në Pallatin e Kulturës në Kavajë.

Në këtë simpozium morën pjesë, kryetari i KMSH-së, H. Skender Bruçaj, myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, kryetari i bashkisë së Kavajës, z. Isa Sakja, nipi i Hafiz Ali Korçës, z. Ali Korça, muftinj, imamë, të afërm të H. Ali Korçës dhe qytetarë të qytetit të Kavajës.

Kryetari i KMSH-së në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi kontributin e çmuar të Hafiz Ali Korçës duke theksuar se ai ishte një personalitet i përmasave të jashtëzakonshme, ishte një burrë i drejtë, dijetar, enciklopedist, poliglot, gjuhëtar, letrar, fetar i devotshëm dhe një atdhetar i flakët.

“Hafiz Ali Korça nuk bëntë kompromis me të vërtetën. Ai ishte një burr i drejtë. Gjithë jetën e tij i’a kushtoi fesë dhe atdheut. Vlerat e njerëzve dhe personaliteteve si Hafiz Ali Korça, janë të qenësishme e të patjetërsueshme në fondin e çmuar të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike, prandaj ato nuk meritojnë të lihen në harresë”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Gjatë simpoziumit figuara e Hafiz Ali Korçës u vlerësua edhe nga nipi i tij, z. Ali Korça, kryetari i Bashkisë së Kavajës z. Isa Sakja, historian dhe nga të pranishmit.

Në fund të simpoziumit u shfaq edhe dokumentari i përgaditur për jetën dhe veprën e Hafiz Ali Korçës.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke vlerësuar lart figurën madhore të H Ali Korçës, punën dhe kontributin e tij, ka emërtuar medresenë e qytetit të Kavajës me emrin e tij dhe ka themeluar fondacionin “Hafiz Ali Korça”.

JETA DHE VEPRA E HAFIZ ALI KORÇËS

Ai lindi në Korçë, në vitin 1873, u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit gjatë kohën që jetoi, në Stamboll, dhe më pas u kthye për t’i shërbyer vatanit dhe popullit të tij, fillimisht në vendlindjen e tij, pastaj në Tiranë, pastaj në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në qytetin e Kavajës, pas një internimi të pashpirt ndaj një prej figurave dhe personaliteteve më të njohur shqiptar, siç ishte Hafiz Ali Korça.

Periudha kur Hafiz Ali Korça jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, botues, zyrtar shtetëror (ish-këshilltar i Ministrisë së Arsimit si dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie), ishte një nga periudhat më të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar në aspektin politik, kulturor dhe veprimtarive kombëtare, atdhetare dhe patriotike. Ishte koha e ndarjes nga shteti osman, dhe fillimi i një epoke të re me shumë peripeci për shtetin dhe kombin shqiptar. Ai ka studiuar dhe ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkëfetarët e tij myslimanë, të cilët lëvizjet dhe veprimtaritë e tij fillimisht i shihnin me dyshim dhe skepticizëm në atë kohë, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike dhe stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta duke u vërtetuar më vonë në praktikë, dhe në shumë prej librave të tij, të cilët përmbajnë laramani shkrimesh dhe temash, lexohen dhe merren si referencë edhe sot e kësaj dite.

Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje dhe vetë ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga sistemi famëkeq, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë.

Figura e tij fetare, si një dijetar i urtë dhe i devotshëm, një njeri shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët në atë kohë, nga atdhetarët, nxënësit e tij si dhe profesorët e ndryshëm, u zvetënua forcërisht nga diktatura e kuqe, duke bërë që të lihet në harresë brenda periudhës së “burgut” të quajtur Shqipëri, por ne këtu, me pak rreshta do të mundohemi të shpalosim disa nga veprimtaritë e tij më kryesore, kulturore, fetare, arsimore e atdhetare.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare dhe shkencore, e bëjnë Hafiz Ali Korçën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive si dhe transmetimin e tyre tek populli.

Mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij Iljaz efendiu, ku që në moshën 12 vjeçare atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë hafiz. Më pas, për njohuri fetare studimore të mirëfillta, ai shkoi në Stamboll, ku zgjeroi diapazonin e diturive të tij.

Si poliglot që ishte, në Stamboll ai mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa bazat e osmanishtes (dhe të turqishtes) i kishte marrë që në Korçë. Gjithashtu, në Stamboll mësoi edhe gjuhën frënge. Për shkak të njohurive të tij në frëngjisht, kur Princ Vidi erdhi në Durrës më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë.

Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi në Stamboll, pas kthimit në Shqipëri ai donte ta përçonte edhe në mesin e popullit shqiptar. Një nga lëvizjet më të mëdha në këtë drejtim të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e shkollave shqipe në të gjitha trojet shqiptare.

Veprimtaria dhe kontributet e tij fetare

Hafiz Ali Korça, që kur mori titullin hafiz në moshën 12 vjeçare, pastaj vajtja për studime akademike islame në Stamboll, bënë që ai të jetojë dhe t’i përkushtohet parimeve dhe diturisë së fesë islame. Në këtë mënyrë, gjithë jetën e tij, ai e sakrifikoi për të vërtetën hyjnore, Islamin, si edhe për vatanin dhe popullin e tij.

Për të vënë në praktikë studimet dhe dituritë e mëdha që kishte marrë, ai kontributin e tij më të madh, përveç ligjëratave të ndryshme fetare që ka mbajtur nëpër xhami të ndryshme në Shqipëri, e ka dhënë me shkrimin ose përkthimin e materialeve studimore islame të dorës së parë. Nisja e përkthimit të disa ajeteve dhe sureve të Kur’anit nga ana e tij (botuar në vitin 1926) prej arabishtes në shqip, ishte një nga arritjet më të mëdha për prezantimin në shqip të Kur’anit.

Ngjitja e tij profesionale si figurë e lartë fetare islame ishte kur ai u zgjodh si një nga anëtarët dhe Fetva Emini i Këshillit të Naltë të Sheriatit, nga viti 1918-1924.

Gjithashtu, ai ka qenë mësues për një kohë të gjatë në Medresenë e Tiranës.

Botimet e tij fetare si “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Korçë, 1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914),“Jusufi me Zelihanë” (Elbasan, 1923), dhe “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Tiranë, 1931) ishin ndër librat më të dashur për besimtarët myslimanë të asaj kohe. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur hytbet (ligjëratat) e shumta të mbajtura prej tij në xhami si dhe shumë prej tyre të botuara në revistat e mirënjohura “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” etj., të cilat u lexonin me ëndje të madhe nga të gjithë shqiptarët e asaj kohe.

Veprimtaria dhe kontributet e tij në aspektin atdhetar

Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, për shkak se ka përkrahur gjithmonë bashkimin kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare, dhe për shkak se e ka kundërshtuar gjithmonë dhe fuqimisht bolshevizmin, komunizmin dhe ateizmin, duke i konsideruar si një “kuçedër e zezë” për popullin shqiptar, atë dhe familjen e tij, për fat të keq, e ndoqi gjithmonë fati i zi i burgosjeve dhe përndjekjeve, si nga osmanët që e njihnin si “hoxhë latinxhi”, si nga shqiptarët pas krijimit të Shtetit Shqiptar, ashtu edhe nga sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili e burgosi dhe e internoi, duke e çuar së fundmi në Kavajë, ku kaloi i vetëm dhe larg familjes së vet vitet e fundit të jetës së tij në këtë dynja, ku ndërroi jetë në vitin 1956.

Këtë veprim, ata e ndërmorën për të “zhdukur” kontributin e tij fetar dhe kombëtar, duke mos lënë hapësirë që idetë përparimtare të kalibrit intelektual të tij për kombin dhe popullin tonë të zbatoheshin në praktikë.

Ai luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë dhe serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë si ai i komunistëve.

Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë që para instalimit të diktaturës komuniste, me vargjet:

Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer ditën e Kijametit.

Ndërsa për vuajtjet e veta, me pak rreshta, ai i përmend shumë bukur në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Aty, ai për veten e vet thotë:

Për Shqipërinë u përpoqa

rezikova jetën t’ime

Nuk rëfehet se sa hoqa

se shteti m’i njihte krime.

Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 Korrik 1909, ku përveç tij, merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima (të cilit Hafiz Ali Korça i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë. Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres ishte kryesorja, dhe për këtë kongres dhe vendimet e saj kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi në librin e tij “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918) si dhe Haki Sharofi në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi.

Për veprimtarinë e tij patriotike për çështjen kombëtare shqiptare si dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, kanë shkruar dhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 (1894) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 (1903).

Veprimtaria dhe kontributet e tij në aspektin arsimor

Për përkrahjen dhe nismat e Hafiz Ali Korçës në aspektin arsimor të popullit shqiptar, kontributet e tij janë të shumta, shumica e të cilave janë shkruar në histori.

Në vazhdim po përmendim vetë disa nga kontributet e tij në praktikë në këtë aspekt:

Ai ka qenë ndër mësuesit e parë në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës ku ka bashkëpunuar ngushtë me Pandeli Sotirin;

ka qenë përkrahës i Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Elbasanit; në vitin 1916 ka qenë drejtor i arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme;

ka marrë pjesë në themelimin e Normales së Elbasanit;

ka qenë ndër themeluesit dhe nismëtarët e ndryshimit të mësimdhënies në Medresenë e Naltë të Tiranës, etj..

Veprimtaria dhe kontributet e tij në aspektin publicistik, kulturor dhe letrar

Shumë shkrime të ndryshme për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë, Hafiz Ali Korça i ka botuar në gazeta të ndryshme në Shqipëri, Turqi dhe Iran.

Ai gjithashtu është autor dhe përkthyes i mbi 13 librave dhe shumë shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta dhe revista në shqip dhe gjuhë të huaja, dhe të gjithë këto libra dhe shkrime janë botuar sa ishte gjallë. Ndërkohë sot, një stërnip i tij, ka arritur të gjejë mbi 300 faqe dorëshkrim nga Hafiz Ali Korça, të pabotuar ndonjëherë, të cilat shpresojmë të përgatiten dhe të botohen sa më shpejt për lexuesin e etur shqiptar për veprat e tij.

Nga krijimtaria e Hafiz Ali Korçës, padyshim nuk mund të lëmë pa përmendur shkrimet e tij në gjuhën turke dhe perse, të cilat i shkruante dhe i dërgonte për botim në gazetat kryesore të asaj kohe në Turqi dhe Iran, si p.sh.: në gazetën “Ittifak” (Bashkimi) në Stamboll, ndërsa gazeta “Aksi Sada” në Stamboll i kërkonte shkrime Hafiz Ali Korçës, siç thoshte “për të zbukuruar shtyllat e gazetës”.

Nga veprimtaria publicistike e Hafiz Ali Korçës mund të përmendim dhe përkthimet e mrekullueshme të librave “Gjylistani dhe Bostani”, “Rubaijjati” si dhe “Jusufi me Zelihanë”, me anë të të cilave bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj Saadiu dhe Omer Khajjami.

Të flasësh për një figurë shumëdimensionale si ajo e Hafiz Ali Korçës, duhen vite për të studiuar dhe kuptuar jetën dhe veprimtarinë e tij, por megjithatë ai do të mbetet gjithmonë një nga emblemat më të njohura vizionare të kombit shqiptar. Gjithashtu, besoj se veprimtaria e tij fetare dhe kombëtare do të jenë, dhe duhet të jenë, baza për mendimin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të myslimanëve në veçanti.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë