Myftinia e Pukës zhvilloi ditën e shtunë, datë 11 nëntor 2017 në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti simpoziumin me titull: “Mejtepet e Myftinisë Pukë dhe Rolet e Tyre”.
Në këtë aktivitet mori pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj, Myftiu i Republikës së Kosovës H. Naim Ef. Tërnava, Myftiu i Pukës Gëzim Kopani, drejtues të dy bashkësive fetare si dhe shumë intelektualë dhe besimtarë të qytetit të Pukës.
Pas himnin kombëtar dhe këndimit të disa pjesëve Kur’anore nga nxënësit e Kur’anit, të pranishmit ndoqën një dokumentar të shkurtër përgatitur enkas për këtë rast.
Aktivitetin e përshendeti Myftiu i Pukës Gëzim Kopani i cili ndër të tjera tha: “Aktivitete të tilla zhvillohen me qëllim vlerësimin e punës së të parëve tanë. Nuk ecet përpara duke harruar punën e të parëve. Kontributi i teologeve, hoxhallarëve nuk duhet ti lëmë në harresë, por ti rikujtojme ata pasi kanë dhënë një kontribut të vyer në edukimin e shoqërisë…”
Ndërsa kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj u shpreh se: “Arsimi është puna më e mirë që njeriu mund të bëjë. Unë mendoj që janë tre armiq të shoqerisë; injoranca, varferia dhe përçarja. Nese duam të luftojmë injorancen duhet ta luftojmë me dituri. Varfëria luftohet duke investuar tek kapitali njerëzor dhe treta përçarja luftohet me vëllazërim.”
Në fjalën e tij Myftiu i Republikes së Kosovës Naim Ternava përshëndeti aktivitetin ku ndër të tjera tha: “Shoqëria jonë njihet për tolerancë dhe mirëkuptim. Vlera këto që sot janë tipare dalluesë për kombin tonë. Me kultivimin e ketyre vlerave ska dyshim se rol të veçantë kan luajtur edhe mejtepet që edukuan masen drejtë sipas mësimeve hyjnore. Edhe në rrethin e Pukës, mejtepet kan një histori të begatë dhe shumë vjeçare. Ky aktivitet është një vlersim për punen e atyre brezave është mirënjohje për kontributin e tyre.“
Më pas aktivteti pasoi me kumtesat e përgatitura me këtë rast nga drejtori i Mesazhit Islam në KMSh Z. Astrit Zharri, studiuesi nga Kosova Dr. Sadik Mehmeti dhe historiani Prof. Xhemal Meçi. Aktiviteti u mbyll me një kokteil dhe shpërndarje literature islame për të pranishmit.
Më herët, krerët e bashkësive fetare të Shqipërisë dhe Kosovës, sëbashku me delegacionet që i shoqëronin, zhvilluan një vizitë të përbashkët në qytetin e Shkodrës, ku vizituan myftininë e këtij qyteti dhe Myftiu i Kosovës Naim Ef. Tërnava mbajti hutben e Xhumasë në Xhaminë e Parrucës.