Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Skender Bruçaj priti në selinë e KMSH-së ambasadoren e Kanadasë, znj. Alexandra Bugailiskis.
Kryetari Bruçaj e njohu me aktivitetin e Komunitetit Mysliman dhe rolin që ky institucion ka në ruajtjen e stabilitetit në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë shqiptare.
Gjithashtu kryetari i KMSH-së e njohu edhe me kontributin e Medreseve të Shqipërisë dhe Universitetit Bedër në rritjen e arsimit dhe përçimin e vlerave tek të rinjtë shqiptarë, të cilat deri më tani kanë qenë një histori suksesi për institucionin e KMSH-së falë edhe bashkëpunimit me partnerë serioze të cilët kanë mirë administruar këto institucione.
Z. Bruçaj vlerësoi edhe kontributin e znj. Bugailiskis në politikën e jashtme të Kanadasë si përfaqësuese për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Magrebin. Gjatë kësaj periudhe ajo u angazhua në rivendosjen e 40,000 refugjatëve sirianë në Kanada dhe krijimin një strategjie tremujore prej 1,6 miliardë dollarësh për Irakun dhe Sirinë.
Ambasadorja Alexandra Bugailiskis, vlerësoi qëndrimet e KMSH-së ndër vite si dhe rolin e saj aktiv në promovimin e vlerave të besimit dhe raportet me komunitetet e tjera fetare.
Ajo çmoi punën dhe angazhimin e treguar nga KMSH dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me KMSH-në në disa fusha të ndryshme.
Gjithashtu edhe Bruçaj shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.