Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka shtruar një iftar me rastin e muajit të madhërueshëm të Ramazanit. Të ftuarit e z. Basha ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, drejtues të lartë të institucionit, përfaqësues të komuniteteve fetare tradicionale, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik e personalitete nga fusha të ndryshme, si dhe besimtarë nga të gjitha xhamitë e kryeqytetit.
Z. Basha në fjalën e tij përshëndetëse, pasi uroi besimtarët për këtë sakrificë në emër të Zotit, kërkoi që ky muaj të shërbejë për rritjen dhe forcimin e solidaritetit e të dashurisë ndërmjet njerëzve. “Është kënaqësi që sot për herë të tretë ndodhem këtu mes jush, në këtë iftar të shtruar nga Bashkia e Tiranës. Uroj që sakrifica fisnike dhe hyjnore e këtij muaji të shndërrohet në dritë dhe mbarësi për gjithë agjëruesit, familjet tuaja dhe vendin tonë”, tha z. Basha.
Ky muaj i madhërueshëm, përmendi më tej z. Basha, e gjen Tiranën më afër bërjes realitet të projektit më të madh të komunitetit dhe besimtarëve myslimanë, ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës. Ai tha se ky është një lajm i shumëpritur për besimtarët myslimanë. “Ky muaj i sakrificës është po kështu një muaj reflektimi. Ndaj më vjen shumë mirë që jemi mbledhur sot në këtë iftar, ndryshe nga iftari i vitit të kaluar, ndërsa kemi hedhur hapa shumë të rëndësishëm drejt kthimit në realitet të projektit më të madh të komunitetit dhe besimtarëve myslimanë, ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës. Ky është një lajm i shumëpritur për besimtarët e qytetit tonë, për besimtarët myslimanë …” tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Në emër të Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës, ai uroi të gjithë besimtarët në këtë muaj të bekuar, agjërim të lehtë dhe të pranuar, kurajë, paqe dhe harmoni në çdo familje shqiptare.
1 Gusht 2013
/Drita Islame/