Duke parë se, një pjesë pseudo-intelektualësh që pretendon se nuk është nevoja e fesë ose të thoni më çiltër nuk duhet feja pse, kah përmban një fanatizëm nuk e len njeriun të lirë në mendime e veprime, e pengon prej bashkimit kombëtar, mbasi secili element duke ndjekur fenë e vet nuk pajton me elementin tjetër, sikur e lyp interesi i atdheut, madje disa ndër ta shtyhen dhe më thellë duke deklaruar sheshazi ateistë prandaj, e ndiej veten të detyruar në themel të urdhrave fetare që kemi, për ta ndriçuar mendimin popullor të elementit mysliman e veçanërisht pjesën intelektuale të atij elementi për vlerën shkencore e filozofike të atyre pretencave të çala që paraqiten në emër të dijes e të filozofisë kurse në realitet nuk janë tjetër veçse fryti i një studimi të pakët e një filozofie të thatë.
Me qenë se kemi pasur rastin të shkruajmë mbi këtë temë dhe disa herë të tjera, prapë po i marrim nëpër duar ata shkrime duke i lidhur me problemet më kryesore që kanë relacione të ngushta me këtë temë të rrahur e të shqyrtuar në bazë të shkencës dhe të filozofisë së vërtetë.
Me anë të këtij botimi, lus vëllezërit myslimanë të mos gënjehen me fjalët e bukura të asaj pjese pseudo-intelektuale, pse qëllimi i këtyre është me dobësuar kondicionin dogmatik në shpirtin e fetarëve e nuk janë fjalë të bazuara, siç thamë më sipër, mbi shkencë e filozofi.
Këtë parathënie të shkurtër po e mbyll duke iu lutur të Madhit Perëndi që ta ruajë popullin shqiptar prej afetarizmit, që është një humnerë e rrezikshme për komb e atdhe! Amin.