12 Rabiul Evvel, 571 – Lindja e Profetit Muhamed (a.s).
Lindja e Profetit Muhamed (a.s.) ishte shpëtim për mbarë njerëzimin. Ai profet gjeti para vetes sundimtarë që krijesat e Zotit i kishin bërë shërbëtorë dhe skllevër, pa gëzuar asnjë të drejtë njerëzore. Ai erdhi në një kohë kur morali kishte rënë përtokë, luftërat dhe konfliktet ishin përhapur tej mase, i forti mundte të dobëtin, i pasuri shfrytëzonte të varfrin, pra me një fjalë nuk ekzistonte asgjë njerëzore dhe asnjë ndjenjë shpirtërore.
Hz. Muhamedi (a.s.) i qe dërguar profet një turme njerëzore, që, copën e drurit të sjellë nga mali, e gdhendte dhe e adhuronte si “Zot”, që, pasi e gatuante hallvën me duart e veta dhe i jepte formë, e kthente në statujë dhe i përulej, pastaj kthehej dhe e hante kur të uritej. Ky profet, i cili u dërgua te një grup njerëzish që e groposnin vajzën të gjallë dhe nga ky veprim nuk ndjenin hidhërim e turp, por ngazëllim e krenari, nxori në shesh një komb të tillë, individët e të cilit u bënë model i gjallë i mëshirës e i delikatesës! Ai nxori nga çobanët e deveve, zotërinjtë e njerëzimit.
Ai ishte njeriu i paqes e i qetësisë. Ne e dimë dhe e besojmë kategorikisht se mesazhi që ai solli, ishte gjithashtu një burim paqeje e qetësie dhe, për këtë, historia është dëshmitarja më e madhe. Ja pra, e vetmja zgjidhje për ta bërë njerëzimin që ta shijojë përsëri këtë paqe e qetësi, është që t’ua bëjmë të njohur njerëzve atë dhe dritën që solli ai, sepse në raport me sa do të njihet ai dhe në sajë të asaj dashurie, do të ndërrojë fytyra e shoqërisë.
Dërgimi i Muhamedit (a.s.) është mëshirë nga Allahu, që njerëzit t’i zgjidhin problemet e tyre në mënyrën më të drejtë e më humane, sepse Ai që na krijoi më së miri i di nevojat e krijesave, prandaj përmes Kuranit ofron udhëzime afatgjatë dhe të përsosur. Kush dëshiron nga ky shembull i humanizmit, le të mobilizohet dhe le të aktivizojë karakterin e vet njerëzor. Kjo do ta ndihmojë që të kuptojë dhe të bëhet qënie humane sipas shembullit të Muhamedit (a.s.) dhe vëllezërve të tij, pejgamberëve të tjerë.
Dorian Demetja
Drejtor i Kulturës dhe Arsimit, KMSH