Kryetari H. Selim Muça priti sot (6 dhjetor 2012), në takim, ambasadorin e ri të Republikës së Egjiptit në Shqipëri, Ahmed Hasan Abdullah.
Kryetari Muça i uroi ambasadorit përzemërsisht mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, duke theksuar se vjen në një vend mik i cili ka dëshmuar ndër shekuj se i do dhe i respekton miqtë.
Ambasadori Abdullah, pasi e falënderoi Kryetarin e KMSH-së për pritjen e ngrohtë e të përzemërt, i përcolli përshëndetjet e veçanta të Shejhut të Ez’herit, Ahmed Tajjib dhe autoriteteve të tjera të larta të Egjiptit.
Në vazhdim të bisedës, Kryetari Muça e njohu ambasadorin me organizimin e institucionit dhe veprimtarinë e tij të gjerë e shumëplanëshe, duke vënë theksin në përpjekjet që ai bën në ngritjen e vetëdijes fetare dhe rolin që luan në kultivimin e së mirës në shoqëri. Ndër të tjera, z. Muça vlerësoi si tejet të rëndësishëm ndihmesën e Egjiptit që pas rihapjes së fesë e në vazhdim ndaj Komunitetit Mysliman, duke shpresuar që ky bashkëpunim të rritet e konsolidohet edhe në të ardhmen.
Ambasadori Abdullah shprehu vlerësimet më të larta për arritjet e rëndësishme që Komuniteti Mysliman ka shënuar në këto dy dekada, duke e bërë, siç u shpreh ai, Islamin edhe më të pranishëm në jetën e qytetarëve shqiptarë. Mes të tjerash, ai theksoi se autoritetet qeveritare e fetare të vendit të tij kanë një interes të madh për ta konsoliduar bashkëpunimin me Komunitetin Mysliman dhe me institucionet shqiptare, duke e parë këtë së pari si shprehje të vlerësimit ndaj institucionit dhe drejtuesve të tij dhe pastaj si ndihmesë të sinqertë karshi vëllezërve të një besimi.
Në fund, Kryetari Muça, duke e falënderuar ambasadorin për vizitën, theksoi se lutet dhe shpreson që Egjiptit t’i kthehet sa më shpejt stabiliteti dhe qetësia e munguar.
Në pritje të ambasadorit të ri egjiptian të akredituar në Tiranë ishin Nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu dhe drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, Astrit Zharri.
06-12-2012
/Drita Islame/