Ambasadori i ri i Egjiptit në Shqipëri, z. Hassan Shawky, zhvilloi një vizitë kortezie në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku u prit nga Kryetari H. Bujar Spahiu.

Pasi e uroi atë për misionin diplomatik në krye të Ambasadës Egjiptiane në Tiranë, kryetari Spahiu, e njohu ambasadorin Shawky me institucionin e KMSH-së, institucionet në varësi, si: Myftinitë, Medresetë dhe Kolegjin Universitar “Bedër”, duke nënvizuar këtu edhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe kulturës islame.  

Nga ana e tij, Ambasadori Shawky vlerësoi rolin e Komunitetit Mysliman në promovimin e vlerave të paqes, tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri. Ai shprehu gatishmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të mbështetur iniciativat e përbashkëta në fushat e arsimit dhe kulturës mes KMSH-së dhe institucioneve simotra në Egjipt.

Në fund të takimit, Ambasadori Shawky, i dhuroi kryetarit Spahiu monumentin e xhamisë “Muhamed Ali Pasha”.

Xhamia “Muhamed Ali Pasha” ndodhet brenda Kalasë së Kajros dhe është një nga monumentet më të rëndësishme islame të Egjiptit. Ajo u ndërtua midis viteve 1830–1848 nga Muhamed Ali Pasha, i cili ishte me origjinë shqiptare dhe themeluesi i Egjiptit modern.

Gjatë këtij takimi, kryetari Spahiu shoqërohej nga Nënkryetari i Institucionit z. Lauren Luli dhe Drejtori i Kabinetit, z. Aurel Çani.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë