Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një takim mirëseardhjeje Ambasadoren e re të Greqisë në vendin tonë, znj. Konstantina Kamitsi.
Gjatë këtij takimi, Kryetari Spahiu, pasi e uroi ambasadoren për suksese në punën e saj gjatë këtij mandati, e njohu atë me institucionin e KMSH-së strukturalisht, në qendër e në rrethe, si dhe me rolin e rëndësishëm që luan institucioni në koordinimin e jetës fetare të komunitetit tonë.
Pasi e falenderoi Kryetarin për mikpritjen, Ambasadorja Kamitsi, vlerësoi rolin e KMSH-së në sferën sociale e fetare të vendit. Më tej ajo shprehu vullnetin e saj për të intensifikuar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy institucioneve.
Kryetari Spahiu, e njohu ambasadoren edhe me një sërë veprimtarish konkrete të institucionit në fushën e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, arsimit, kulturës dhe përgjegjësisë sociale ndër vite.
Takimi vijoi më tej në formën e një bashkëbisedimi të lirë.