Dita e Arafatit është ndër ato ditë që mund të cilësohen si dhurata për njerëzimin, pasi përshkohet nga një përndritje e veçantë prej së cilës mund të përfitojnë të gjithë ata që ia hapin derën e shpirtit mëshirës hyjnore.
Ajo është dita e nëntë e muajit Dhulhixhxhe dhe vjen një ditë para ditës së Kurban Bajramit, pra këtë vit është ditën e shtunë, më 10 gusht 2019. Ndërsa 10 ditët e para të Dhulhixhes kanë rëndësi të veçantë, sepse janë ditët në të cilat besimtarët myslimanë kryejnë haxhin, një ndër detyrimet më madhore të fesë islame, Arafati është dita më e veçantë mes tyre.
Kjo ditë përmban sekrete dhe vlera të mëdha aq sa Profeti i Nderuar Muhamedi (a.s) është shprehur se “Haxhi eshtë Arafat”, duke nënkuptuar se pa qëndrimin në Arafat haxhi i besimtarit nuk quhet i plotësuar. Arafati është momenti që Allahu ka zgjedhur për të pranuar lutjet e besimtarëve më shumë se kurdo tjetër, duke zbritur mëshirën e tij mbi njerëzit, prandaj kush vërtet i drejtohet Krijuesit në Arafat, nuk kthehet asesi duarbosh prej Tij. Sepse për nga afërsia me Zotin, kjo ditë i përngjet sexhdes që është momenti kur njeriu është më pranë Zotit.
Arafati është dita për të cilën Allahu betohet në Kur’an: “Pasha tekun” dhe dita në të cilën Krijuesi plotësoi fenë përmes zbritjes së ajetit: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.” (Maide, 3)
Agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm për të gjithë, përveç personave që janë duke kryer haxhin, për arsye se keta duhet të jenë fizikisht të fuqishëm për të kryer Arafatin dhe për të përmbushur haxhin. Për gjithë të tjerët duhet rikujtuar fjala e të Dërguarit të Allahut (a.s) i cili për agjërimin në këtë ditë është shprehur: “Shpresoj që Allahu të m’i ketë falur mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që vjen.” (Muslimi)
Përveç agjërimit në këtë ditë duhen shtuar lutjet dhe pëermendja e shpeshtë e Allahut.
“Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arafatit dhe lutja më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje është: La ilahe il Allahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir.” (Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët).
Po ashtu vlen përsëritja e tekbirit (Allahu Ekber), Tehlilit (La ilahe il`Allah), dhe Tahmidit (Elhamdulilah). Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Allahut?!” E pra Arafati ëeshtë një nga ditët në të cilat zemrat mund ta arrijnë qetësinë e shumëkërkuar.
Gjatë ditës së Arafatit është sunet (pjesë e traditës profetike) edhe këndimi i tekbireve pas namazeve farz që pas namazit të sabahut e deri në ditën e katërt të Bajramit pas ikindisë në formën:
ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER. (tri herë)
Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il Allahu uallahu ekber. Allahu ekber ue lilahil hamd.
Një tjetër vepër e lavdëruar në këtë ditë është respektimi dhe kujdesi ndaj prindërve, të moshuarve dhe gëzimi, perkëdhelja e fëmijëve.
Arafati është ditë feste, ditë e gëzimit të zemrave. Në një hadith të tij, Profeti i Nderuar (a.s) shprehet se “Dita e Arafatit, dita e nahrit (Bajramit) dhe ditët e teshrikut (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit) janë festat tona dhe ato ditë janë ditë të ngënies dhe pijes.”