Përfaqësuese të Zyrës së Gruas zhvilluan të enjten një takim me besimtaret e Fierit, ku u diskutua mbi rolin dhe peshën e gruas në shoqëri, familje dhe më gjerë, si dhe rëndësinë që Feja Islame i rezervon asaj.
Përgjegjësja e Zyrës së Gruas, znj Fatma Karaj, nënvizoi faktin se gruaja është pesha kryesore në shoqëri, pa rolin dhe kontributin e së cilës shoqëria nuk do të ishte e plotë dhe nuk do të mund të funksiononte. Ajo shtoi me tej se: “Lumturia e shoqërisë është familja e lumtur dhe familje do të thotë GRUA. Gruaja është themeli i shoqërisë dhe shtylla e familjes. Ajo është lidhësja që i bashkon pjesëtarët e familjes dhe shoqërisë njerëzore. Gruaja është edukatorja jo vetëm e fëmijëve të saj, por e gjithë njerëzisë. “Nëse do të ecim sipas parimeve që Islami na këshillon, lumturia bashkëshortore është e mundur që të zgjasë deri në vdekje dhe në ndarjen përfundimtare të çiftit nga kjo botë.” tha znj. Karaj.
Për të pranishmit u shtrua edhe një koktej.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Myftininë e Fierit dhe u mbajt në Xhaminë e Madhe në qendër të qytetit.
Pas aktivitetit përfaqësueset e Zyrës së Gruas, zhvilluan edhe një takim pune me Myftiun e Fierit z. Karafil Manaj.
14 maj 2015