Besimi – Gjashtë shtyllat

• Një Zot i Vërtetë

• Engjëjt

• Librat – Shkrimet e shenjta

• Profetët

• Dita e gjykimit – Llogaridhënia

• Caktimi Hyjnor

I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, Engjëjve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij dhe thanë:“Iu përgjigjëm (thirrjes) dhe respektuam (urdhrin). Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.” (Bekare 2:285)

Besimi ose imani në arabisht, ka kuptimin e të pohuarit me anë të arsyes dhe të bindjes në zemër që nuk ekziston Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Imani përfshin edhe të besuarit se ekziston një jetë e pasosur pas kësaj bote dhe se i gjithë njerëzimi do të merret në pyetje në Ditën e Gjykimit; gjithashtu përfshin edhe të besuarit në ekzistencën e engjëjve të cilët veprojnë si shërbëtorë të Zotit, si dhe të besuarit se ekziston një Përcaktim dhe Vendim Hyjnor në bashkëveprim me vullnetin e lirë të njerëzve.

Besimi përbën në vetvete nënshtrimin ndaj Qenies së Vetme Supreme, Allahut të Madhëruar dhe çlirimin e vetvetes nga nënshtrimi ndaj epsheve. Ai është bindja se kozmosi nuk është një produkt përfundimtar i fenomeneve të rastësishme natyrore, por shenjë e drejtpërdrejtë që tregon Krijuesin. Besimi rrit aftësinë mendore për të “reflektuar,” në mënyrë që çdokush të mund të kuptojë manifestimin e Emrave dhe Cilësive të Allahut të shfaqura në gjithësi. Besimi i sinqertë manifestohet si nga ana e brendshme me anë të nënshtrimit të zemrës, ashtu edhe nga ana e jashtme me anë të kryerjes së riteve të faljeve dhe adhurimit.

Gjashtë kushtet e besimit apo siç njihen ndryshe edhe gjashtë shtyllat e besimit, janë gjashtë çështjet në vijim me anë të të cilave një besimtar duhet të ruajë besimin e tij:

1. Një Zot i Vetëm i Vërtetë (Allahu)

2. Engjëjt

3. Librat (Shkrimet Hyjnore)

4. Profetët

5. Ringjallja dhe Ahireti

6. Paracaktimi Hyjnor (Kaderi)

Një Zot i Vetëm i Vërtetë

 

“A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!” (Araf  7:172)

Islami i drejtohet natyrës fillestare dhe i bën thirrje njerëzimit të sjellë ndër mend pohimin e dhënë përpara krijimit, siç theksohet në ajetin kur’anor të mësipërm. Çdo qenie njerëzore lind në këtë botë me natyrën e tij të pastër, ndaj ai ose ajo udhëhiqet në mënyrë të natyrshme drejt besimit në realitetin e një Zoti të Vetëm.

Realiteti i Zotit i cili është i Vetëm, i Përhershëm dhe Absolut përbën thelbin e besimit Islam. Zoti qëndron mbi çdo dualitet dhe shoqërim, mbi ndryshimet gjinore dhe mbi çdo cilësi që i dallon qeniet nga njëra-tjetra në këtë botë. Gjithashtu Ai është burimi i gjithë ekzistencës dhe i të gjitha cilësive kozmike dhe njerëzore ashtu siç përbën edhe Pikën Përfundimtare tek e Cila çdo gjë rikthehet.33 Një nga ajetet kur’anore më të lexueshme, Ajeti Kursi, rendit disa nga Emrat dhe Cilësitë kryesore të Allahut, me anë të të cilave Ai e ka bërë Vetveten të njohur në krijim:

Allahu është një, nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Ai është Mbikëqyrës i Përhershëm dhe i Përjetshëm. Atë nuk e kap as kotje as gjumi, gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, veçse me lejen e Tij, Ai e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që ai di të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar. Sundimi i Tij përfshin qiejt dhe tokën, kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i Larti, më i Madhi.

Islami pohon Njësinë e Zotit dhe sundimin e Tij të pandashëm mbi gjithësi. Zoti është Krijuesi, Mjeshtri, Mbajtësi i gjithçkaje që ekziston. Gjithçka funksionon sipas planit të Tij. Ai ka shpallur nëpërmjet Profetëve të Tij Rrugën e Drejtë për udhëheqjen e njerëzimit. Të gjithë profetët (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ta), kanë predikuar të njëjtin mesazh:

Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk ka Zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni! (Enbija 21:25)

Profetët i ftuan burrat dhe gratë të bënin një jetë të karakterizuar nga virtytet, pastërtia, drejtësia dhe paqja, dhe të vepronin sipas udhëzimeve që Ai kishte shpallur.

Të gjithë profetët, duke filluar që nga Ademi, Nuhu (Noah), Ibrahimi (Abrahami), Musai (Moisiu), Isai (Jezusi) dhe deri tek Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ta) predikuan të njëjtën fe të karakterizuar nga pranimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut dhe thirrja për paqe. Dështimet njerëzore qëndrojnë në mosmbrojtjen dhe mosruajtjen e mësimeve të profetëve të hershëm.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, u dërgua për të risjellë mesazhin origjinal, për ta paraqitur atë në formën e vet të përkryer dhe për ta ruajtur në një mënyrë të tillë që fjala e Zotit të mos ngatërrohej më me fjalët e njerëzve.

Asnjë send nuk është si Ai. (Shura 42:11)

Ky ajet i shkurtër thekson faktin që Allahu nuk është i të njëjtit lloj me ato që Ai ka krijuar, prandaj Ai qëndron përtej të gjitha përfytyrimeve njerëzore rreth Tij. Prandaj Ai nuk ka shokë, asgjë nuk i ngjason Atij, Ai as nuk lind e as nuk ka lindur prej ndokujt. Asgjë, qoftë lëndë, hapësirë ose kohë, nuk mund ta kufizojë ose ta frenojë Atë. Kjo është arsyeja përse cilësitë e Tij ndërmjet të cilave janë Dëgjimi, Shikimi, Dijet, Vullneti, Fuqia, Krijimi e kështu më radhë, qëndrojnë gjithashtu përtej gjithçkaje që ne mund të perceptojmë.

Profeti Muhamed u pyet njëherë nga bashkëkohësit e tij në lidhje me Zotin; përgjigjja erdhi direkt nga Vetë Zoti në formën e një sureje të shkurtër të Kur’anit, e cila konsiderohet si thelbi i Njësisë apo motoja e monoteizmit:

Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As ka lindur kënd, as nuk është i lindur dhe askush nuk i është i barabartë me Të. (Ihlas 112:1-4)

Allahu është i Dashur, i Bukur dhe i Drejtë. Me përjashtim të njërës, secila prej 114 sureve të Kur’anit fillon me frazën: “Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.” Profeti thotë: “Allahu është më i dashur dhe i dhembshur sesa një nënë për fëmijën e saj të dashur.” Por Zoti është gjithashtu edhe i Drejtë.

Islami nuk e pranon karakterizimin e Zotit në ndonjë formë njerëzore apo mendimi sipas të cilit Ai favorizon individë ose popuj të caktuar mbi baza pasurie, pushteti apo race. Ai i krijoi qeniet njerëzore të barabarta. Ato mund ta dallojnë vetveten dhe të fitojnë favoret e Tij vetëm nëpërmjet virtyteve dhe devotshmërisë.

Engjëjt

Besimi në mbretërinë e padukshme të ekzistencës dhe në qeniet që e popullojnë atë,  përbën një shtyllë tjetër të besimit Islam. Meqenëse shqisat tona janë të kufizuara, nuk përbën zgjuarsi mohimi apriori i ekzistencës së botëve përtej perceptimit nga shqisat tona. Për më tepër, ne dimë shumë pak rreth ekzistencës dhe ajo që njohim është një pjesë shumë e vogël në krahasim me atë që nuk njohim ende. Konceptet tona rreth natyrës dhe universit janë ende në fazat e tyre fillestare, ndaj ne nuk mund të deklarojmë se dimë gjithçka që do të ndodhë në të ardhmen. Shkencat tona gjenden ende në fazën e tyre të “foshnjërisë” dhe e ardhmja do të jetë dëshmitare e zbulimeve dhe zhvillimeve shkencore të paimagjinueshme. Konceptet Islame në lidhje me krijimin, shpalljen, profetësinë, ngjarjet që ndodhin në botë, adhurimin, jetën shpirtërore, vdekjen, ringjalljen dhe pozitën qendrore të gjinisë njerëzore në kozmos, nuk mund të kuptohen pa iu referuar engjëjve.

Ndërtuesi i Madhërishëm i pallatit gjigant të krijimit, ka përdorur për këtë qëllim katër lloje ose kategori punëtorësh: engjëjt dhe qeniet e tjera shpirtërore, sendet pa shpirt dhe krijesat bimore të cilat janë shërbëtore të rëndësishme të Zotit që punojnë pa u shpërblyer, kafshë të cilat i shërbejnë pa ndërgjegje Atij në këmbim të një sasie të vogël ushqimi dhe kënaqësie, si dhe njerëzit të cilët punojnë me vetëdije dhe të ndërgjegjshëm për qëllimet e Krijuesit të Madhërishëm. Njerëzit mësojnë nga çdo gjë dhe janë mbikqyrës të shërbëtorëve të rangut të ulët (siç janë kafshët, bimët etj) dhe në këmbim ata do të shpërblehen këtu dhe në Ahiret.

Engjëjt janë krijuar prej “dritës,” jo prej asaj drite që ne njohim, por prej dritës në një formë më të rafinuar dhe të dobët të cilën ne e quajmë nur. Fjala arabe që përkufizon engjëjt është melek. Duke pasur parasysh rrënjën e kësaj fjale, melek ka kuptimin “i dërguar,” “përfaqësues,” “i ngarkuar,” “mbikqyrës” dhe “i fuqishëm.” Kuptimi i kësaj rrënje gjithashtu shpreh zbritjen nga një vend i lartë. Engjëjve u është dhënë njëfarë lirie veprimi, por ndryshe nga njerëzit, ato nuk sprovohen. Pozita e tyre në sytë e Allahut nuk ndryshon kurrë. Engjëjt janë shërbëtorë të Zotit të cilët ndërtojnë marrëdhëniet ndërmjet botës metakozmike dhe asaj materiale, përcjellin urdhrat e Zotit, drejtojnë veprat dhe jetët e gjallesave (me lejen e Zotit), si dhe kryejnë adhurimin që u takon të bëjnë në botën e tyre.

Këto qenie nuk ngrihen kurrë në pozitë për atë që bëjnë, sepse secili prej tyre ka një gradë të fiksuar dhe të përcaktuar dhe është në gjendje të fitojë një kënaqësi të veçantë nga puna e vet ashtu siç është në gjendje të marrë ndriçim nga adhurimi. Prandaj shpërblimi i tyre gjendet në shërbimin që bëjnë. Ashtu siç ne duke u ushqyer marrim kënaqësi nga ajri, uji, drita dhe ushqimi, edhe engjëjt ushqehen dhe marrin kënaqësi nga drita e mirënjohjes, lavdërimit, adhurimit, përkujtimit dhe dashurisë për Allahun. Meqenëse ata janë krijuar nga drita në formën e saj më të rafinuar dhe të dobët, është drita ajo që i mban gjallë ata. Edhe parfumet erëmira, ekzistenca e të cilave është e lidhur ngushtë me dritën, përbëjnë një burim ushqimi të pëlqyer për ta.

Nga puna e tyre e kryer nën komandën e Atij të Cilin ata e adhurojnë, nga veprat e tyre për hir të Tij, nga shërbimi i kryer në Emër të Tij, nga mbikqyrja nën vështrimin e Tij, nga nderimi i fituar për shkak të lidhjes me Të, për shkak të ripërtëritjes së tyre duke studiuar përmasat materiale dhe jomateriale të Mbretërisë së Tij dhe për shkak të kënaqësisë që marrin gjatë vëzhgimit të manifestimit të Madhërisë dhe Bujarisë së Tij, engjëjt janë në gjendje të fitojnë një lumturi aq të madhe, saqë ne nuk jemi në gjendje ta imagjinojmë dot. Për më tepër, vetëm ata mund ta posedojnë një lumturi të tillë.

Engjëjt nuk gënjejnë dhe nuk janë të pabindur, sepse ata nuk kanë një shpirt të komanduar nga djalli apo ego së cilës i duhet rezistuar. Ata kanë pozitën e tyre të fiksuar, prandaj atyre as nuk u ngrihet e as nuk u ulet grada. Ata gjithashtu janë të çliruar ndaj cilësive të tilla negative si zilia, mëria dhe armiqësia si dhe nga të gjitha llojet e grykësive dhe orekseve shtazore, të cilat gjenden në qeniet njerëzore dhe në xhindët. Ata nuk kanë gjini, nuk hanë e nuk pinë dhe nuk ndiejnë as uri, as etje e as lodhje. Lutjet, adhurimet, përmendja e Emrave të Allahut dhe lavdërimi i Tij përbëjnë ushqimin e tyre, ashtu si edhe drita dhe aromat.

Engjëjve u janë ngarkuar detyra të caktuara. Krahas detyrës së tyre për të përfaqësuar dhe për të mbikqyrur gjallesat e ndryshme në tokë dhe për t’i shprehur adhurimin e tyre Allahut, ekzistojnë katër kryeengjëj dhe engjëj të tjerë të cilët kanë funksione të veçanta dhe afërsi të veçantë tek Allahu. Xhebraili, është dërguesi i shpalljeve të Allahut, Mikaili ka për detyrë administrimin e shiut, rritjen e bimëve dhe ruajtjen e vendeve të shenjta, Israfili ka për detyrë ti fryjë surit (bririt) për të lajmëruar Ditën e Ringjalljes ndërsa Azraili është ai i cili merr shpirtrat e njerëzve në momentin e vdekjes.

Ekzistojnë edhe grupe të tjera engjëjsh siç janë: Mele’i A’la (Këshilli i Lartë), Nadij-i A’la (Përfaqësia e Lartë) dhe Refik-i A’la (Shoqëria e Lartë), ashtu siç ekzistojnë edhe engjëjt të cilët kryejnë detyrat e tyre në Parajsë (xhenet) dhe në Ferr (xhehenem). Engjëjt të cilët regjistrojnë veprat e një njeriu të caktuar, quhen Kiramun Katibun (regjistruesit fisnikë). Munkiri dhe Nekiri marrin në pyetje shpirtrat e të sapovdekurve. Një hadith thekson se ekzistojnë 360 engjëj të cilët janë përgjegjës për jetën e çdo besimtari; ata kujdesen për të veçanërisht gjatë fëmijërisë dhe pleqërisë, luten për të dhe i kërkojnë Allahut ta falë; të tjerë engjëj kanë për detyrë të ndihmojnë besimtarët gjatë luftërave, mbikqyrin aktivitetet që kanë për qëllim falenderimin dhe lavdërimin e Allahut, ashtu siç vëzhgojmë edhe grupimet e krijuara për hir të Allahut dhe për dobinë e njerëzve.

Librat – Shkrimet e shenjta

Islami e rendit besimin në të gjithë Librat Hyjnorë të shpallur nga Allahu nëpërmjet profetëve të Tij, si një shtyllë të rëndësishme të fesë. Muslimanët besojnë që Zoti ua shpalli njerëzve Shkrimet e Shenjta  të Tij, si një mjet udhëzimi për ta. Kur’ani është libri i fundit të cilin Allahu ia shpalli Profetit Muhamed. Allahu ka garantuar që Kur’ani do të mbrohet nga çdo ndryshim apo shtrembërim, prandaj asnjë material i huaj nuk i është shtuar atij dhe asnjë shkronjë e vetme nuk është hequr nga teksti i Kur’anit. Qysh nga momentet e para të shpalljes, Kur’ani është mësuar me gjithë shpirt nga shumë muslimanë dhe është ruajtur në formën e shkruar.

Muslimanët besojnë se ndërmjet librave të shpallur nga Allahu, bëjnë pjesë edhe Teurati i Musait a.s. (Tora e Moisiut), Inxhili i Isait a.s. (Bibla e Jezusit), Zeburi i Davudit a.s. (Psallmet e Davidit), Pllakat e Shkrimit të Ibrahimit a.s. dhe në fund Kur’ani.

Kur’ani nuk është thjesht një libër i cili njësohet me Biblën, megjithëse ekzistojnë shumë pika të përbashkëta ndërmjet tyre. Një prej ndryshimeve thelbësore midis tyre është se librat origjinalë të Biblës, sot nuk ekzistojnë më në formën dhe gjuhën në të cilën u shpallën fillimisht dhe vetëm disa përkthime të saj mund të gjenden sot në qarkullim. Nga ana tjetër, asnjë përkthim i Kur’anit nuk mund të konsiderohet si Kur’an i mirëfilltë sepse një përkthim i tij thjesht quhet “studim i kuptimit të Kur’anit.” Çdokush që ka bërë përkthime e di që një shkallë e caktuar e interpretimit humbet në përkthim dhe se vetëm një person i cili e njeh mirë gjuhën origjinale mund  ta kufizojë këtë ndryshim interpretimi deri në shkallën më të vogël të mundshme. Është absolutisht e domosdoshme që një përkthyes të ketë njohuri të shkëlqyera të arabishtes, në mënyrë që përkthimi i Kur’anit të jetë sa më i përshtatshëm. Sot ekzistojnë shumë përkthime të Kur’anit me anë të të cilave besimtarët mund të lexojnë dhe të kuptojnë mesazhet e tij.

Një pikë tjetër e rëndësishme që duhet theksuar në lidhje me Kur’anin, është se ai nuk është në vetvete një libër historie, shkence apo ligjesh, megjithëse ai i përmban të gjitha këto komponentë; ai është së pari dhe kryesisht një libër i udhëzimeve hyjnore. Gjithashtu ju duhet ta dini se Kur’ani nuk përmban shpjegime të hollësishme në lidhje me situatat që gjeneruan shpalljen e ajeteve të tij.

Më së shumti, ajetet përmbajnë linja orientimi dhe parime të përgjithshme. Ato gjithashtu japin sihariqe për të mirët dhe shprehin paralajmërime për ata të cilët janë në rrugë të gabuar. Ato përmbajnë një numër rrëfimesh të cilat shërbejnë si paralajmërime, thirrje dhe tërheqje vërejtjeje për njerëzit në përgjithësi. Në disa raste, Kur’ani gjithashtu jep udhëzime të veçanta.

Kur’ani u shpall gjatë periudhës 23 vjeçare të karrierës profetike të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, në përputhje me kërkesat e konteksteve të veçanta të cilat bënin thirrje për udhëzim hyjnor në çështje të caktuara. Për këtë arsye, nëse duam të arrijmë tek kuptimi i saktë i shumë prej ajeteve të tij, neve na duhet të njohim rrethanat në të cilat këto ajete janë shpallur. Është gjithashtu e rëndësishme të ritheksohet edhe një herë se Profeti nuk ishte autori i Kur’anit. Kur’ani ashtu si edhe librat e tjerë të shpallur, është fjala e Allahut, e cila erdhi në formën e një serie mesazhesh pjesë-pjesë dhe jo si një rrëfim në vijimësi.

Profetët

Ne dërguam tek çdo popull një profet. (16:36)

Njëlloj si tek Judaizmi dhe Krishtërimi, profetësia është një koncept i rëndësishëm në Islam. E ndërsa Njësia e Zotit përbën themelet ideologjike të Islamit, koncepti i administrimit të tokës nga ana e njeriut përbën kornizën vepruese në kuptimin e pikëpamjeve Islame në lidhje me krijimin e qenieve njerëzore si dhe qëllimin e tij.

Megjithëse Kur’ani përmend me emër vetëm 25 profetë, Zoti na e bën të qartë që Ai i ka dërguar shumë profetë njerëzimit. Nuk ekziston asnjë fis, popull apo racë tek i cili Zoti të mos ketë dërguar Udhëzimet e Tij. Një numër prej 124 mijë profetësh përmendet në një nga hadithet e Profetit Muhamed (historitë rreth Dhulkarnejnit, Llukmanit dhe Uzejrit gjithashtu përmenden në Kuran, megjithëse profetësia e tyre nuk është e shprehur qartë).

Profetët më të mëdhenj (Ulul adhm – mjeshtrat e vendosmërisë), janë: Nuhu (Noah), Ibrahimi (Abrahami), Musai (Moisiu), Isai (Jezusi) dhe Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të gjithë ata.

Një tipar dallues i besimit Islam në lidhje me profetësinë është se muslimanët i besojnë dhe i respektojnë të gjithë të dërguarit e Allahut, pa asnjë përjashtim. Meqenëse të gjithë profetët u dërguan nga i njëjti Zot i Vetëm dhe për të njëjtin qëllim – për ta udhëhequr njerëzimin drejt rrugës së Zotit – besimi në të gjithë ata është thelbësor dhe logjik.

Besimi në të gjithë profetët e Zotit, përbën një prej shtyllave të fesë Islame. Megjithëse hebrenjtë nuk i njohin Jezusin dhe Muhamedin, dhe kristianët nuk e njohin Muhamedin, muslimanët i pranojnë të gjithë ata si të Dërguar të Zotit, të cilët i sollën udhëzimet e Zotit njerëzimit. Mohimi i profetësisë së ndonjërës prej figurave të së shkuarës, do ta zhvlerësonte besimin e një muslimani dhe ai ose ajo, në këtë rast nuk do të konsideroheshin më muslimanë.

Historia e Ademit dhe Havasë, gjendet në shumicën e traditave fetare e kulturore. Mënyra sipas së cilës Kur’ani e rrëfen këtë ngjarje, përbën një pikë kyçe për të kuptuar pikëpamjet islame. Në vija të përgjithshme, Kur’ani e rrëfen këtë ngjarje në këtë mënyrë: Allahu e deklaroi qëllimin e Tij për të dërguar një mëkëmbës të Tij në tokë. Ai i krijoi Ademin dhe Havanë nga e njëjta substancë. Ata ishin planifikuar të luanin këtë rol prej mëkëmbësi prej Allahut në tokë dhe ishin pajisur me njohuri rreth sendeve për ta kryer detyrën e tyre ashtu siç duhej. Ata u vunë në provë duke u porositur të mos i afroheshin një peme të caktuar. Ata ranë viktimë e nxitjeve të mbrapshta të djallit dhe iu afruan pemës. Por menjëherë pas këtij gabimi ata u penduan, përfituan faljen e Allahut dhe iu shlye gabimi.

Është e rëndësishme të theksohet se vetëm pasi u falën dhe u rehabilituan, ata u dërguan në tokë për të luajtur rolin e tyre si mëkëmbës të Allahut. Atyre u ishte premtuar Udhëzim Hyjnor dhe u ishte garantuar se ata të cilët ndiqnin këtë udhëzim, do të ishin të suksesshëm. Prandaj, Ademi qe njeriu i parë që mori këtë lloj udhëzimi dhe ia bëri të qartë pasardhësve të tij, duke u bërë kështu profeti i parë i Zotit.

Nga kjo nxjerrim disa rrjedhime të rëndësishme. Islami nuk e pranon teorinë e “rënies së Ademit” që simbolizon rënien e njerëzimit. Njerëzit u krijuan me qëllimin e vetëm që është të vepruarit si përfaqësues të Zotit në tokë, prandaj ata erdhën në këtë botë për të përmbushur këtë mision. Historia e Ademit dhe Havasë përfaqëson ngritjen e njerëzimit në një nivel të ri dhe jo rënien e tij.

Megjithatë, konceptet e përfaqësisë dhe profetësisë nuk duhen ngatërruar. Roli dhe statusi i përfaqësisë i është besuar të gjitha qenieve njerëzore, ndaj ai ka të njëjtën vlerë si për burrat ashtu edhe për gratë.

Islami në këndvështrimin e tij, e përshkruan natyrën njerëzore si një bilur të bardhë të cilësisë së lartë në pritje për t’u gdhendur. Njerëzimi është krijuar në formën më të përkryer dhe çdo njeri lind në një gjendje pastërtie dhe pafajësie të plotë. Për më tepër, njerëzve u është dhënë liria për të zgjedhur. Ata janë të lirë ta pranojnë ose ta mohojnë të vërtetën. Çdo person mban përgjegjësi për veprimet e tij, por atij nuk i mohohet kjo liri edhe në qoftë se ai abuzon me të, sepse në të kundërt kjo do të përbënte kufizim të kësaj lirie. Rreziqet që vijnë nga keqpërdorimi i lirisë, vazhdimisht i konfrontojnë njerëzit, sepse përpjekjet e djallit nuk marrin fund asnjëherë. Sprova e Ademit dhe Havasë, nga njëra anë shfaq mirësinë në thelb të natyrës së tyre dhe nga ana tjetër tendencën për të rënë lehtësisht pre e gabimeve. Për të ruajtur krijesat njerëzore prej këtij rreziku, Allahu ka bërë të mundur sigurimin e udhëheqjes hyjnore nëpërmjet profetëve dhe të Dërguarve të Tij.

Profetët ishin që të gjithë qenie njerëzore. Ata kishin të njëjtat cilësi sikurse edhe njerëzit e tjerë si të ushqyerit, të fjeturit, gjetja e një partnereje për martesë dhe të sëmururit. Megjithatë ata kishin disa karakteristika të veçanta që i dallonin ata, si besnikëria (sidk), amaneti, zgjuarsia (fetanet), aftësia për të komunikuar mesazhe hyjnore (teblig), pagabueshmëria (ismet), etj. Profetët i zotëronin këto cilësi në shkallën më të lartë gjatë jetës së tyre. Ata u pajisën edhe me aftësinë për të bërë mrekulli, për të provuar kështu se nuk ishin mashtrues. Mrekullitë e tyre u bënë të mundura me anë të fuqisë dhe lejes së Zotit dhe zakonisht ndodhnin në fushën në të cilën komuniteti ku ata ishin dërguar, e ndiente veten superior. Secili prej profetëve e ka shprehur qartë se çdo gjë të veçantë që ai kishte, i ishte dhënë vetëm prej Zotit për të mirën e njerëzimit. Ata konfirmonin ato që ishin shpallur përpara dhe ato që do të shpalleshin pas tyre. Në këtë kuptim mesazhi ishte i njëjtë në thelb dhe synonte tek i njëjti objektiv.

Thelbi i përmbajtjes së mesazheve të profetëve ishte adhurimi i Zotit të Vetëm ashtu siç kishte urdhëruar Ai, si dhe porositja e njerëzve për të kryer vepra të mira gjatë jetës së tyre. Është e mundur të përpunohen ide që ndryshojnë sipas detajeve të caktuara në lidhje me natyrën e Zotit dhe ligjet e Tij, në varësi të çdo rasti individual që ka lidhje me një profet të caktuar. Islami kategorikisht e hedh poshtë konceptin e “shenjtërisë” së ndonjërit prej profetëve. Ata janë në thelb qenie njerëzore dhe megjithëse janë të mbrojtur nga mëkatet, ata mund të bëjnë edhe ndonjë gabim të vogël.

Një zbatim i plotë i fesë është i pamundur vetëm me anë të shkrimeve të shenjta; nevojitet patjetër një i dërguar, i cili përbën një mjet komunikimi të shpalljes për njerëzimin. Transmetimi i mesazhit nuk arrihet vetëm nëpërmjet shprehjes së mesazheve hyjnore me fjalë, por gjithashtu duke u shndërruar vetë në modelin më të mirë të mundshëm për t’u ndjekur, në të cilin besimtarët mund të shohin një shembull të qartë në lidhje me mënyrën se si mesazhet e Zotit duhen kuptuar dhe praktikuar. Një shembull konkret në lidhje me këtë, janë edhe namazet në Islam që përbëjnë një shtyllë kryesore të jetës dhe praktikës islame dhe të cilat i janë bashkangjitur Kur’anit. Megjithatë muslimanët kanë mësuar se si t’i kryejnë ato nëpërmjet praktikës së profetit, meqenëse në Kur’an mënyra e kryerjes së namazeve nuk përshkruhet me detaje.

Profetët e përmendur si në Kur’an ashtu edhe në Bibël janë: Ademi, Idrizi (Enoch), Nuhu (Noah), Ibrahimi (Abraham), Ismaili (Ishmael), Is’haku (Isaac), Jakubi (Jakob), Jusufi (Josef), Ejubi (Job), Musai (Moisiu), Haruni (Aroni), Dhulfikli (Ezekiel), Davudi (Davidi), Sulejmani (Solomon), Iliasi (Elijah), Eljesai (Elisha), Junusi (Jonah), Zekerija (Zechariah), Jahja (Gjon Pagëzori), Isai (Jezusi).

Ringjallja dhe Ahireti

Besimi në jetën pas vdekjes është aq i domosdoshëm në fenë Islame, saqë çdo dyshim në lidhje me të, barazohet me mohimin e Zotit. Vetë fjala e Zotit në Kur’an është themeli i këtij besimi. Për më tepër, Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e ka shpjeguar rëndësinë e kësaj shtylle të besimit për një person i cili dëshiron të ketë një jetë të udhëhequr nga parimet islame.

Ne e dimë se nuk disponojmë asnjë mjet për të identifikuar jetën pas vdekjes si një eksperiencë të përjetuar. Por Zoti na ka dhënë neve një nivel të caktuar ndërgjegjeje e cila na garanton që nëpërmjet anës shpirtërore të hyjmë në realitete të cilat nuk mund të perceptohen me anë të shqisave. Kur’ani i drejtohet racionalitetit të mendjes sonë kur i përgjigjet pyetjes së mosbesimtarëve: “Kush do t’u japë jetë eshtrave të kalbur?” Përgjigja është: sigurisht Ai i cili i ka krijuar ato.

Në Kur’anin e Shenjtë, Allahu i bën thirrje arsyes njerëzore dhe i drejtohet fuqisë sonë të mendimit dhe të gjykimit duke na thënë të mendojmë rreth faktit se si shiu e gjallëron trupin e vdekur. Kjo është diçka e dukshme për ne prandaj si është e mundur që ta mohojmë të vërtetën e ringjalljes, kur Allahu i Madhëruar mundet që me po atë lehtësi me të cilën ringjall tokën, mund të ringjallë edhe eshtrat e kalbura.

Allahu është Ai që i lëshon erërat, e ato i lëkundin retë dhe Ne i derdhim ato në një vend të thatë dhe me atë ujitje e ngjallim tokën pas vdekjes së saj. Ja, kështu është ringjallja. (Fatir 35:9)

Kur’ani në mënyrë të përsëritur na tregon se si ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do të shpërblehen gjerësisht në ahiret, ndërsa ata të cilët nuk besojnë dhe bëjnë vepra të këqija, do të ndëshkohen.

Besimi në jetën pas vdekjes i jep kuptim jetës sonë, sepse Ai na e bën të qartë se kjo jetë është vetëm një sprovë dhe përgatitje për jetën e pasosur. Për më tepër ne e dimë se në Ahiret ne do të marrim të drejtën që na takon për të gjitha padrejtësitë që kemi vuajtur këtu. Në pamje të parë mund të duket se mëkatarët dhe të korruptuarit shpesh janë më të lumtur apo më të pasur sesa njerëzit e ndershëm, por kjo situatë zgjat vetëm për një kohë të shkurtër. Në Ahiret ata do të marrin ndëshkimin që u takon.

Besimi në jetën pas vdekjes e nxit një person të bëjë një jetë të rregullt në tokë, sepse ai e njeh fatin që e pret nëse injoron urdhrat dhe paralajmërimet e Allahut të shkruara në Kur’an. Në fakt, besimi në jetën pas vdekjes është një stimul i fuqishëm për një person, që ai të bëjë një jetë të virtytshme në këtë botë. Rruga e vërtetë drejt një shoqërie paqësore, mund të shtrohet vetëm nëse njerëzit besojnë në jetën pas vdekjes.

Paracaktimi Hyjnor, Kaderi

Një musliman duhet të besojë në Paracaktimin Hyjnor apo Kaderin në arabisht. Koncepti i Caktimit Hyjnor i përdorur në Kur’an nënkupton një përmasë apo mundësitë e fshehta me të cilat Allahu i krijoi qeniet njerëzore dhe gjithçka tjetër që ekziston në natyrë. Kur Allahu i krijoi sendet, Ai përcaktoi se kur ato do të vijnë në ekzistencë dhe kur do të pushojnë së ekzistuari. Ai gjithashtu përcaktoi dhe cilësitë dhe natyrën e tyre. Gjithçka në gjithësi qoftë e dukshme apo e padukshme, është krejtësisht subjekt i pushtetit absolut të Allahut. Asgjë nuk mund të ndodhë jashtë Vullnetit të Tij.

Përsa u përket qenieve njerëzore, ato nuk janë plotësisht zotër të fateve të tyre por as kukulla në duart e fatit. Zoti i ka dhënë njerëzve pushtet të kufizuar dhe liri të madhe, duke përfshirë edhe lirinë e zgjedhjes. Kjo autonomi e bën secilin individ përgjegjës për veprimet e tij.

Ne nuk e njohim të ardhmen tonë dhe në një masë të madhe, nuk mund ta kontrollojmë dot atë. Por megjithatë, ne mund të marrim vendime për çështje që ndodhen brenda kufijve të asaj çfarë mund të kemi nën kontroll duke u bazuar mbi kuptimin tonë rreth mënyrës se si funksionon bota. Në qoftë se dikush vendos të godasë me grusht një mur tulle, ai nuk mund të ankohet për padrejtësi kur plagos dorën. Ai e di që muri ekziston dhe se ai është i fortë. Ky është realiteti – “ligjet e natyrës” – me të cilat atij i duhet të ballafaqohet. Megjithatë e vërteta është që Zoti është në gjendje ta bëjë murin të zhduket përpara se grushti ta arrijë atë.

Meqenëse Zoti krijoi natyrën dhe ligjet e saj, Ai caktoi edhe rregullat morale, prandaj ne nuk mund të ankohemi për padrejtësi në qoftë se ndëshkohemi për mosbindje apo injorim të këtyre ligjeve morale.

Në këtë mënyrë, koncepti i kaderit është një tregues që na e bën të qartë se ne duhet të kërkojmë harmoninë me ligjet e Allahut që kanë të bëjnë me natyrën njerëzore dhe me natyrën në përgjithësi dhe me ndërgjegje duhet t’i bindemi vullnetit të Tij. Megjithatë, kaderi sipas konceptit Islam nuk na e heq të drejtën e zgjedhjes dhe veprimeve. Është zgjidhja jonë me vullnet të plotë për veprimet që kryejmë duke u nisur nga mundësitë tona të natyrshme të cilat janë në harmoni me vullnetin e Zotit ajo që na bën të fitojmë shpërblimin tonë nga Allahu.

Prapëseprapë megjithëse Allahu ka vendosur disa rregulla të caktuara në caktimin e Tij, në lidhje me zhvillimin e ngjarjeve, edhe këto mund të ndryshohen nëpërmjet lutjeve. Profeti thoshte se vetëm lutësit e sinqertë mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve që do të ndodhin dhe se adhurimi i vërtetë dhe nënshtrimi i sinqertë ndaj Allahut, mund ta ngrenë besimtarin mbi ligjet e zakonshme të natyrës. Personat që luten mund të kenë rezultat në ngjarje të konsideruara si “mrekulli personale” të cilat përbëjnë ndodhi apo përjetime që ne i konsiderojmë pothuajse të pamundura ose totalisht të pamundura.

Nga këndvështrimi Islam, qeniet njerëzore janë të lira për të kryer çdo veprim në praktikë. Një person nuk mund të shfajësohet për faktin se ka bërë një zgjedhje të gabuar dhe pastaj t’ia hedhë fajin kaderit, sepse si në rastin e shembullit të mësipërm kur njeriu i bie me grusht murit, ai nuk mund të fajësojë ligjet e natyrës. Ai i di pasojat e veprimit të tij në praktikë dhe nuk mund të presë të ndodhë një mrekulli!

Ne nuk duhet të shqetësohemi për atë se çfarë ka shkruar Allahu për ne sepse ne nuk mund ta dimë kurrë këtë. Por detyra jonë është të përpiqemi të bëjmë më të mirën, si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën. Pastaj, nëse dëshiron Allahu, rezultatet pozitive do të vijnë.

Ndërsa përsa i përket çështjes se a janë njerëzit të paracaktuar për të hyrë në Parajsë (xhenet) apo Ferr (xhehenem), ne duhet të rikujtojmë që Allahu e kapërcen konceptin kohë. Ai është i Gjithëdijshmi i së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Prandaj Ai e di që më përpara cilën rrugë – të mirë apo të keqe – secili individ do të zgjedhë dhe cili do të jetë stacioni përfundimtar i tij – Xheneti apo Xhehenemi. Por një njohje e tillë nuk nënkupton që Ai i bën njerëzit të zgjedhin një rrugë të caktuar. Të dish diçka përpara se të ndodhë nuk është e njëjta gjë me bërjen të mundur që ngjarja të ndodhë. Determinizmi absolut nuk ka lidhje me veprimet e njerëzve. Për shembull, le të shohim analogjinë e mëposhtme: autorët kanë dijeni të plota dhe të sakta rreth librit që ata do të shkruajnë dhe i sistemojnë kapitujt, faqet, paragrafët, fjalitë dhe fjalët përpara se ta shkruajnë atë. Në këtë kuptim, kaderi ka kuptimin pak a shumë të njëjtë me Dijen Hyjnore, ose është një titull i Dijes Hyjnore. Prandaj ai quhet gjithashtu “Tabela Supreme e Ruajtur” (Lehvi Mahfudh). Kaderi gjithashtu nënkupton që Allahu bën gjithçka sipas një mase të veçantë e të përcaktuar si dhe në baraspeshën e duhur:

“Allahu e di se ç’bart çdo grua dhe (e di) çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë mitrat. Tek Ai çdo send është me masë të caktuar.” (Rra’d 13:8)

Dielli dhe hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të saktë. Edhe yjet edhe bimët i bëjnë përulje (dëshirës së Rrahmanit). Ai e ngriti edhe qiellin dhe Ai vuri drejtësinë. Që të mos kaloni kufirin në drejtësi. Edhe ju mbani me drejtësi peshojën e mos lini mangët në peshojë! (Rrahman 55:5-9)

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë