Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e Bajramit u organizua në Sheshin Skënderbej, ku mijëra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit dhe qindra mijëra të tjerë kanë festuar dhe kryer faljen në sheshet e çdo qyteti të vendit.
Festimet e Kurban Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut.
Para faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër.
Programi ka filluar me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami Hysni Merja.
Ceremonia ka vazhduar me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.
“Të nderuar vëllezër le te lutemi të gjithë së bashku në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit, që të mbretërojë paqja, solidariteti, respekti, harmonia dhe dashuria në mesin e njerëzve pa dallim dhe përjashtim, e mbi të gjitha Zoti na forcoftë vullnetin dhe ndjenjën e sakrificës për të përhapur të mirën, te bukurën dhe jo të keqen dhe të shëmtuarën, të përhapim paqe dhe siguri mes njerëzve dhe jo konflikt dhe përçarje të përcjellim shprese dhe dashuri dhe jo pesimizëm dhe urrejtje”, u shpreh Bruçaj.
Ndërsa nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spahiu mbajti ligjëratën para faljes së namazit të Kurban Bajramit.
“Sot është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes” tha ndër të tjera z. Spahiu.
Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
““Kurban bajrami është shprehje e vëllazërisë, dhembshurisë dhe solidariteti. Besimtarët e këtij vendi me veprat dhe dashurinë ndaj Zotit janë bërë shembull i shkëlqyer pë shoqërinë. Kurban Bajrami është dëshmia e përkushtimit tonë ndaj krijuesit, dëshmia e solidaritetit dhe bindjes.”, tha ndër të tjera Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
Ndërsa Drejtori i Arsimit në KMSH. z. Oltion Kola, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami si një traditë e shkëlqyer e të parëve tanë, shërben dhe nxit përkrahjen dhe ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrin, për një familje dhe shoqëri të shëndoshë dhe se Kurbanet që do të bëhen sot, të jenë shkak i afrimit tonë me Krijuesin.
Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e bërjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.
Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.
1 Shtator 2017