kurban bajrami (4)

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e Bajramit u organizua si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra besimtarë ishin pjesë e festimeve dhe faljes së namazit të Bajramit.

Ceremonia ka filluar me fjalën më të bukur, me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami Gazmend Teqja. Gjatë ceremonisë drejtori i Thirrjes në Islam pranë KMSH-së, z. Elvis Naçi, dha sqarime dhe informacione mbi historikun dhe filozofinë e Kurban Bajramit. Më pas kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

“Kjo ditë e bekuar, dita e sakrificës në konceptin njerëzor, është shumë më e madhe dhe më e begatë në aspektin hyjnor. Është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes ndaj begative të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia dhuron njerëzimit, me dëshirën dhe vullnetin e Tij që ne të jemi mëkëmbësit e Tij në sipërfaqen e tokës. Le t’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne i Madhërishmi dhe le të bëhemi sot në këtë ditë, pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e saj”, u shpreh z. Bruçaj në fjalën e tij përshëndetëse.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga Kryetari Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

“Kurbani është një trashëgimi e traditës së Ibrahimit a.s. I madhi Zot sot ka dashur që atmosfera hyjnore të zbresë në tokë, në zemrën dhe shpirtin e çdo besimtari dhe besimtareje. Ne të gjithë së bashku, myslimanë të këtij vendi do të bëhemi dëshmitarë të plotësimit të aureolës së besimit”, tha ndër të tjera Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e therjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman” etj. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.

4 Tetor 2014

kurban bajrami (5)

kurban bajrami (3)

kurban bajrami (8)

kurban bajrami (6)

kurban bajrami (1)      kurban bajrami (7) kurban bajrami (2)

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë