Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin

Ceremonia e faljes u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, Tiranë, ku mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Kurban Bajramit dhe qindra mijëra të tjerë kanë festuar dhe kryer faljen në sheshet e çdo qyteti të vendit.

Festimet e kësaj dite filluan që në orët e para të mëngjesit me faljen e përbashkët të namazit të sabahut.

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër, program i cili filloi me këndimin e një pjese të Kur’anit Famëlartë nga Hafizi Enes Hyka.

Ceremonia vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.

“Kurban Bajrami na kujton përgjegjësitë për të qenë të kujdesshëm ndaj të drejtës së gjithsecilit. Profeti na mëson se Allahu ka të drejta mbi ne, po ashtu edhe familja, shoqëria, të afërmit. Të falurit dhe të falënderuarit është e drejta e Zotit, ndarja e kohës për familjen është e drejta e saj, haku ndaj punës është e drejta ndaj punëdhënësit dhe kolegëve. Le të shërbejë kjo festë për të kontrolluar ndjenjat tona jo të mira, si urrejtja, smira, thashethemi dhe të ripërtërijmë ndjenjat e bukura të dashurisë, respektit, vëllazërisë, faljes dhe përkujdesjes. Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje, gëzim e paqe. T’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne Zoti dhe le të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e Kurban Bajramit”, – u shpreh z. Spahiu.

Ndërsa nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, mbajti ligjëratën para faljes së namazit të Kurban Bajramit.

“Bajramet janë ditë ku gëzohet çdo shtëpi myslimani. Atmosfera e kësaj feste kaplon të pasur e të varfër, jetim e të pastrehë. Mishi, Sadakaja, lëmosha dhe dora e ndihmesës do të bëjeë që sot të gëzojnë e festojnë të gjitha shtresat e shoqërise pa dallim besimi, mendimi dhe origjine, por të vëllazëruar, bashkuar, unifikuar të jetojnë së bashku bukuritë e këtij besimi, e kësaj feje madheshtore, Islamit. T’i lutemi Allahut për veten, prindërit, familjet, bashkëatdhetarët dhe Shqipërinë tonë”, – tha z. Bica gjatë fjalës së tij.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga kryetari i Komunitetit Mysliman H. Bujar Spahiu, i cili më pas mbajti edhe hytben për besimtarët e pranishëm.

“Kurbani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit. Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve. Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit”- tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH, z. Dorian Demetja, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami është festa e mirësisë, bashkëpunimit, vëllazërimit dhe e mirënjohjes. Kurban Bajrami është një festë për të gjithë, prandaj ti ndajmë të mirat materiale e shpirtërore me të afërmit tanë dhe nevojtarët.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e prerjes së kurbanit si dhe për të kryer vizita tek të afërmit e tyre.

   

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë