
Mijëra besimtarë myslimanë të kryeqytetit dhe jo vetëm, falën sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë u tubuan në sheshet dhe xhamitë kryesore të çdo qyteti tjetër të vendit tonë, duke festuar kështu përfundimin me sukses të një muaji maratonë në aspektin e adhurimeve.
Programi i Fitër Bajramit në shesh filloi që në orët e para të mëngjesit me leximin e disa ajeteve nga Kur’ani Famëlartë, të cilat u përcollën për besimtarët e pranishëm nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja.
Fill pas leximit të Kuranit Fisnik, ishte radha e fjalës përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli mesazhe të ngrohta urimi, paqeje dhe mirëkuptimi. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të lidhjeve shpirtërore dhe shoqërore, si dhe rolin e besimit në kultivimin e një shoqërie të mbështetur mbi respektin dhe dashamirësinë reciproke.
“Sot, agimi i Fitër Bajramit na gjen me zemrat e mbushura me dritën e besimit dhe me shpresën se sakrifica jonë është pranuar nga Krijuesi ynë. Ramazani që lamë pas nuk ishte vetëm një muaj adhurimi, por një shkollë e përkushtimit, e durimit dhe e reflektimit mbi qenien tonë.” – veçoi ai gjatë fjalës së tij.
Më tej, kryetari Spahiu, nuk la pa përmendur dhe bëri thirrje reflektimi për disa nga plagët më të rënda sociale nga të cilat po vuan shoqëria jonë sot.
“Sot, ky falënderim duhet të jetë më shumë se fjalë. Ai duhet të reflektohet në mënyrën si ndërtojmë jetën tonë, si ndërveprojmë me shoqërinë, si mbrojmë të vërtetën dhe si qëndrojmë përballë sfidave të kohës. Ne jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden, ku e vërteta shpesh humbet në zhurmën e propagandës dhe ku njeriu matet me atë që ka, e jo me atë që është. Përballë kësaj, Islami nuk na mëson të tërhiqemi, por të qëndrojmë me dinjitet.” – theksoi kryetari Spahiu.
Programi i Fitër Bajramit vijoi me ligjëratën e rastit të mbajtur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Botërore Islame, Dr. Muhamed Bin Abdulkerim El-Isa, i cili iu drejtua mijëra besimtarëve të pranishëm me mesazhe të frymëzuara nga muaji i bekuar i Ramazanit. Ai theksoi se Ramazani nuk ishte vetëm një periudhë agjërimi, por edhe një mundësi për pastrimin shpirtëror, forcimin e lidhjeve me Zotin dhe përhapjen e vlerave të paqes dhe mëshirës në shoqëri.
“Sot jemi mbledhur në këtë ditë të bekuar për të reflektuar mbi mirësitë e panumërta që Allahu na ka dhuruar dhe për të forcuar lidhjet tona shpirtërore e vëllazërore. Kjo është një ditë për t’u këshilluar me njëri-tjetrin mbi begatitë e pafundme që na shoqëruan gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, një periudhë e mbushur me mëshirë, falje dhe afrim me Zotin. Gjithashtu, kjo është një mundësi për të përkujtuar dhe për të përhapur vlerat e larta Islame – vlera të cilat na udhëzojnë drejt drejtësisë, mëshirës, solidaritetit dhe përkushtimit të sinqertë ndaj Krijuesit dhe ndaj njëri-tjetrit. Qofshim gjithmonë në dritën e udhëzimit hyjnor dhe në shërbim të së mirës!” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Programi kulmoi me faljen e namazit të Fitër Bajramit, ku mijëra besimtarët e mbledhur në shesh i priu Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Botërore Islame, Dr. Muhamed Bin Abdulkerim El-Isa, për të vazhduar më pas me hutben e Bajramit, e cila u mbajt po ashtu nga ai.
Gjatë hutbes, z. El-Isa, e vlerësoi Bajramin si një ditë gëzimi, triumfi dhe shpërblimi hyjnor për përkushtimin e treguar gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Në këtë frymë, ai uroi që kjo festë të shërbejë si një moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve, duke nxitur dashurinë, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në shoqëri. Me lutje të sinqerta, ai kërkoi që paqja, harmonia dhe solidariteti të mbizotërojnë mes besimtarëve dhe mbarë njerëzimit, duke e bërë botën një vend më të drejtë dhe më të begatë për të gjithë.
Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.


















