Pas disa viteve punë intensive për gjetjen, dixhitalizimin dhe punimin kompjuterik të më se 150 numrave origjinalë të revistës “Zani i Naltë” nga vitet 1923 deri më 1939, me rreth 5.000 faqe gjithsej, botohet e plotë Kolana “Zani i Naltë”, me 10 vëllime.

Revista “Zani i Naltë” është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të KMSH-së, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar.

Gjatë 16 viteve të jetës së saj, ajo botoi një sërë artikujsh, që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore, nëpërmjet së cilës pasqyrohet dhe niveli i mendimit teologjik shqiptar, gjatë periudhës së postpavarësisë. E gjithë përmbajtja e revistës është një pasuri e madhe kulturore dhe kombëtare.

Studiues të ndryshëm, shqiptarë e të huaj të besimit islam e të besimeve të tjera, me monografi e përmbledhje historike e kulturore, si dhe me studime e artikuj të shumtë në organe shtypi kanë paraqitur analiza dhe konkluzione, duke shprehur vlerësime për kontributin e gjithanshëm që revista “Zani i Naltë” ka arritur gjatë periudhës së viteve 1923-1939.

Duke hulumtuar mbi përmbajtjen e revistës “Zani i Naltë”, vihet re se ajo ka pasur rubrika të shumta, të cilat janë tregues i një materiali të pasur, i një tematike të larmishme dhe informacioni të gjerë, gjë që ka bërë të ndriçojë mbi spektrin e revistës, jo vetëm në aspektin fetaro-islam, por edhe në ata filozofik, moral, letrar dhe sociologjik.

Ky botim prej 10 vëllimesh, vjen si një botim i përbashkët i tre Bashkësive Islame, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë.

Kolana Zani i Nalte 2

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë