zk1a3639

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj mori pjesë në konferencën me temë “Luftëtarët e huaj terroristë dhe itineraret e parregullta të emigrimit: parandalimi dhe aftësia për të reaguar” të mbajtur ditën e sotme në Durrës

Kreu i KMSH-së në këtë aktivitet theksoi kontributin e njerëzve të fesë në promovimin e vlerave humane dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve vendore, lokale dhe fetare.

“Në momentet më të vështira të historisë njerëzore, njerëzit e fesë kanë këshilluar e promovuar vlerat humane, kanë mbrojtur jetën e njerëzve, kanë këshilluar durimin, respektin; kanë mbjellë dashurinë dhe mëshirën; i janë drejtuar logjikës dhe arsyes. Përherë kanë qenë ndërtues dhe kanë qëndruar përballë rrënimit, ndonjëherë edhe duke u vetësakrifikuar. Duke marrë parasysh kompleksitetin e këtij fenomeni, trajtimi dhe parandalimi i tij kërkon bashkërendim veprimesh mes aktorësh të ndryshëm si shteti, shoqëria civile si dhe Komunitetet Fetare” tha ndër të tjera Bruçaj.

Gjatë kësaj konferencë u diskutuan një sërë faktorësh të cilët mund të kontribuojnë në parandalimin e radikalizmit dhe emigrimin ilegal. Ndër pikat më kryesore mund të përmendet arsimimi, edukimi, bashkëpunimi shumëpalësh me faktorë të ndryshëm të shoqërisë dhe konsolidimi i mirëqenies sociale.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm, zv/kryeministri i Shqipërisë, z. Niko Peleshi, ministri i  Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Donald Lu, Ambasadorja e OSBE-së, znj. Romana Vlahutin, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sandër Lleshi, përfaqësues nga OSCE, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit Amerikan, ambasadorë, etj.

Zv/kryeministri Niko Peleshi tha se narrativa është arma e fortë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

“Në disa shkolla të vendit do të fillojë zbatimi i një projekt pilot për bashkëjetesën fetare, por edhe përgatitjen e të rinjve për të përballuar presionet ekstremiste”, tha z. Peleshi

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin e vunë theksin tek bashkëpunimi, koordinimi dhe shkëmbimi i informacionit.

Në panelin e diskutimeve ishin të pranishëm edhe drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, z. Fejzi Shaholli dhe myftiu i Durrësit, z. Redi Quku.

Ndër të tjera gjatë aktivitetit u analizuan konceptet në lidhje me përpjekjet në kuadër të partneritetit të zgjeruar, strategjitë dhe qasjet gjithëpërfshirëse, përmirësimi i shkëmbimit të informacioneve dhe forcimi i sigurisë së kufijve.

14 shtator 2016

zk1a3703 zk1a3696zk1a3645 zk1a3717zk1a3667  zk1a3677

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë