Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi sot mbledhjen e tij të zakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit.
Pas votimit të myftinjve të rretheve, anëtarëve të kryesisë së KMSH-së dhe anëtareve të Këshillit të Përgjithshem, z. Bujar Spahiu u zgjodh Kryetari i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me një mandat 5-vjeçar.
Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit H. Skender Bruçaj, kandidaturat për kryetar të KMSH-së ishin Nënkryetari i institucionit, z. Bujar Spahiu, Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra, Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, z. Islam Hoxha, Myftiu i Lushnjes, z. Gramoz Blliku ndërsa kryetari aktual z. Skender Bruçaj njoftoi dje tërheqjen e tij nga kandidimi për një mandat të dytë.
Kryetari në detyrë, H. Skender Bruçaj në fjalën e tij të rastit u shpreh se ndihet i vlerësuar për besimin që iu dha duke shërbyer si Kryetar i institucionit në 5 vitet që lamë pas.
“Ky 5 vjeçar që lëmë pas nuk qenë një sipërmarrje e lehte për lidershipin e Komunitetit Mysliman. Të nderuar vëllezër, e sidomos ju vëllezër myftinj, më lejoni që t’ju shpreh falenderimet e mia të përzemërta për besimin dhe respektin që më dhatë 5 vite më parë për t’i shërbyer Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në pozicionin e kreut të këtij institucioni. Për mua ka qenë më shumë se sa një privilegj dhe krenari e veçantë, një përgjegjësi e jashtëzakonshme para Allahut (xh.sh.), por edhe para jush dhe mbarë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë”, tha z. Bruçaj.
Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm i shprehën z. Bruçaj mirënjohjen për kontributin e dhënë në këto vite. Ata vlerësuan gjithashtu rolin e tij në drejtimin e institucionit dhe angazhimin maksimal në kryerjen e detyrës.
Ndërsa kandidatët e tjerë prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për të ardhmen e institucionit. Gjatë prezantimit pati diskutime dhe pyetje të ndryshme në lidhje me programin, por edhe mbi çështje që preokupojnë institucionin dhe besimtarët.
Votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 90 anëtarë të këshillit votuan 87 prej tyre, pasi 3 anëtarë mungonin. Fitues me shumicë votash u shpall z. Spahiu me 59 vota. Ndërsa dy kandidatët e tjerë, z. Ylli Gurra mori 26 vota dhe z. Gramoz Blliku 2 vota.
Proçesi i votimit shkoi rregullisht dhe nuk pati asnjë kontestim.
Skender Bruçaj i dorëzoi në shenjë simbolike Kryetarit të ri çallmën dhe xhyben e tij, duke i uruar suksese dhe mbarësi në këtë mandat pesëvjeçar.
Më pas, z. Spahiu me dorë mbi Kur’an bëri betimin konform statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, si vijon:
“Betohem në emër të Allahut, se do të vazhdoj me besnikëri e përkushtim urdhrat e Islamit, do të punoj me ndërgjegje të plotë islame për lartësimin e fesë së Allahut, do të zbatoj me përpikmëri Statutin dhe Rregulloren e Komunitetit Mysliman, dhe do të punoj me ngulm për forcimin e ndjenjës kombëtare e atdhedashurisë ndër myslimanët e Republikës së Shqipërisë. Allahu më ndihmoftë!”
Pas ceremonisë së betimit, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e uruan z. Bujar Spaiu për detyrën e re.