Programi “Bukuritë e Besimit Islam” është zhvilluar këtë të martë në xhaminë e Kokonozit, tek Pazari i Ri në Tiranë. Në këtë cikël ligjëratash ishin të pranishëm nënkryetari i komunitetit Mysliman, Ali Zaimi, kryevaizi Lauren Luli dhe z/myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja.
Në fjalën e tij, nënkryetari Zaimi u shpreh se feja është këshillë dhe këto takime shërbejnë për të rikujtuar bukuritë e besimit dhe kënaqësitë që marrim prej tij.
“Për të marrë kënaqësitë e besimit Profeti Muhamed a.s na thotë që ta duam Allahun dhe të Dërguarin e tij më shumë se gjithçka, ta duam njeriun për hir të Zotit dhe të ndërtojmë një vëllazëri të sinqertë mes njeri-tjetrit”, tha ndër të tjera nënkryetari Zaimi.
Kryevaizi Lauren Luli foli rreth ndjekjes së parimeve dhe rrugës së Profetit Muahmed a.s.
“Ne si besimtarë duhet të ndjekim dhe të respektojmë parimet e Kuranit dhe traditës së Profetit Muhamed. Dashurinë që kemi ndaj Profetit Muhamed a.s ta rrezatojmë ne veprat tonë.”, tha kryevaizi Luli.
Ndërsa z/myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja u fokusua tek përmendja e Allahut dhe në premtimet që Allahu na ka dhënë neve.
“Allahu i Madhëruar na ka premtuar se nëse ne jeni mirënjohës dhe falënderues ndaj mirësive dhe begative që na ka dhënë, Ai do na i shtojë këto mirësi dhe begati akoma më shumë”, tha imami Teqja.
Ndërkohë imami i xhamisë, Saimir Ismaili, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla dhe falënderoi përfaqësuesit dhe xhematin për praninë.
Në fund të programit besimtarëve iu shpërnda ujë i bekuar i Zemzemit.