“Diktatura që nuk vrau dot shpirtin” titullohet ekspozita e hapur sot në Bunk’Art nga Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), Komiteti Shtetëror për Kultet dhe komunitetet fetare.
Aktiviteti u përshëndet nga drejtoresha e AKT-së, znj. Julinda Dhame, e cila vlerësoi rolin e prijësve fetarë shqiptarë dhe kontributin e tyre në shërbim të kombit dhe fesë. Ajo po ashtu vlerësoi bashkëpunimin e institucionit, që ajo drejton me komunitetet fetare, falë të cilit u organizua edhe kjo ekspozitë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, vlerësoi lart rëndësinë e kësaj ekspozite kulturore, e cila shërben si përkujtim i veprës dhe kontributit meritor të prijësve fetarë që dhanë gjithçka që kishin për fe e atdhe.
“Më vjen mirë që pjesa më e madhe e audiencës janë të rinj, të cilët duhet të mësojnë shumë nga historia, sidomos ajo e kohës së komunizmit, kur u ndalua feja dhe u persekutuan njerëzit e saj”, tha kryetari i KMSH-së.
Ministri Erion Veliaj falënderoi Agjencinë Kombëtare të Turizmit, e cila pas shumë përpjekjesh solli këtë dhuratë për të gjithë shqiptarët, për të njohur dhe kuptuar historinë e tyre në një periudhë të errët për ta dhe vendin e tyre.
Edhe liderët e komuniteteve të tjera fetare shprehën kënaqësinë e tyre për këtë veprimtari domethënëse, e cila ka si qëllim të promovojë figurat e kulturës fetare shqiptare dhe bashkëjetesën e harmoninë mes tyre.
Aktiviteti, i cili pati një profil interaktiv, vijoi me pyetje të pjesëmarrësve në lidhje me rolin e prijësve fetarë në formësimin e vetëdijes fetare e kombëtare, kontributin e komuniteteve fetare në rikthimin e besimit në jetën e shqiptarëve, sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen gjatë veprimtarisë së tyre, punën që bëjnë për forcimin e dialogut dhe ruajtjen e vlerave të harmonisë fetare, etj.
Në një hapësirë të Bunk’Art janë ekspozuar foto të objekteve të kultit të rrënuara gjatë sistemit të kaluar, dokumente dhe dëshmi të gjalla, që flasin për historinë e përndjekjes, që iu është bërë prijësve fetarë dhe besimtarëve, duke i privuar nga liria e besimit dhe të drejtat e tyre legjitime.
26 Nëntor 2014