Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e besimit” u zhvillua dje pas namazit të akshamit në Xhaminë Kubelije, Kavajë, ku për të ligjëruar ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, Drejtori i Thirrjes dhe Mesazhit Islam, z. Erjol Haxhiu dhe Myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini.

Aktiviteti nisi me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë, të lexuara nga imami I xhamisë Gentjan Nela.

Në fjalën e tij, Myftiu i Kavajës, z. Besnik Lecini, theksoi rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla fetare për forcimin e besimit dhe përgatitjen shpirtërore të individit. Ai shtoi: “Ashtu siç po përfundon ky vit, do të përfundojë edhe jeta jonë. Prandaj, derisa kemi mundësi, duhet të garojmë për punë të mira dhe të përgatitemi për botën tjetër.”

Më pas, nënkryetari I KMSH-së, z. Luli referoi mbi mënyrat për të arritur sukses në qëllimin për të cilin Allahu na ka krijuar, që është të qenurit besimtarë të bindur dhe të përulur ndaj Tij. Ai theksoi se ky sukses arrihet duke rregulluar në mënyrë të drejtë marrëdhënien tonë me mirësitë e Allahut, duke qenë falënderues, si dhe me sprovat, duke treguar durim dhe këmbëngulje. “Një besimtar i vërtetë nuk e humb kurrë shpresën, sepse ai e di se çdo sfidë që Allahu i sjell, është një mundësi për t’u afruar më pranë Tij dhe për të fituar mëshirën e Tij,” u shpreh ai.

Z. Erjol Haxhiu ndau mendime rreth rëndësisë së përfitimit të dijes nga hoxhallarët, duke dhënë shembuj frymëzues nga sahabët dhe mësimet që ata morën nga Profeti Muhamed (a.s). Ai gjithashtu nënvizoi domosdoshmërinë e ruajtjes së marrëdhënieve vëllazërore mes besimtarëve, duke u treguar të kujdesshëm me fjalët dhe veprat tona. “Të meditojmë për punët e mira dhe gabimet që kemi bërë këtë vit, si dhe të planifikojmë projekte dhe vepra të mira për vitin e ardhshëm,” shtoi ai.

Mbrëmja përfundoi me ujë zemzemi, duke e kthyer këtë aktivitet në një moment bashkimi dhe reflektimi për të gjithë të pranishmit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë