Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” është ndalur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Kukësit. Dhjetëra besimtarë myslimanë ishin mbledhur në xhaminë kryesore të qytetit për të marr pjesë në bisedat fetare.

Për të ligjëruar ishte nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli dhe pedagogët e Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Xhemal Saferti dhe Veton Tulla.

Nënkryetari i KMSH-së foli për dashurinë ndaj Allahut, duke e cilësuar atë si më të madhen ndër dashuritë.

“Dashuria ndaj Allahut nënkupton bindjen, përuljen dhe adhurimin e Tij, kryerjen e urdhrave të Tij dhe të larguarit nga ndalesat e Tij. Dashuria ndaj Allahut kërkon edhe dashurinë ndaj të Dërguarit të Tij a.s. Dashuria ndaj Allahut nënkupton edhe dashurinë ndaj besimtarëve, ndihmën e tyre, mbështetjen dhe përkrahjen e tyre. Dashuria ndaj Allahut të Lartësuar kërkon krijimin e raporteve shoqërore, lidhjeve dhe marrëdhënieve mbi themelin e dashurisë për hir të Allahut”, – tha ndër të tjera z. Luli.

Pedagogu i Kolegjit Universitar Bedër shtjelloi më tej dashurinë ndaj Allahut dhe më pas foli për vëllazërinë mes besimtarëve.

 “Dashuria për Allahun është besim, adhurim, sexhde, ruku, punë. Dashuria ndaj Zotit do të thotë të çojmë në vend urdhrat që na ka dhënë Ai dhe të jemi larg gjërave të ndaluara prej Tij. Në jetën e Profetit Muhamed a.s. gjejmë të manifestuar modelin e vërtetë të dashurisë dhe vëllazërisë, ishte ajo vëllazëri e sinqertë, që prodhoi më pas një shoqëri ku respektohej e drejta dhe vlerësohej virtyti”, – tha z. Saferti.

Myftiu i Kukësit, z. Islam Hoxha, falënderoi ligjëruesit për mesazhet e dhëna dhe theksoi se këto mesazhe kanë një vlerë të veçantë për secilin nga ne.

    

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë