Për të ligjëruar ishin të ftuar Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Z. Bujar Spahiu dhe Imami i Xhamisë së Et’hem Beut Z. Elton Karaj.
Programi filloi menjëherë pas faljes së namazit të akshamit, ku nënkryetari i KMSH-së Z. Spahiu, ndau me të pranishmit kujdesin e Islamit për moralin e bukur të shoqërisë, duke filluar që nga normat bazike të moralit si koncept e deri tek ilustrimi me shembuj nga jeta e Profetit a.s.
“Morali i bukur do të thotë tu shërbesh njerëzve, ti respektosh ata, ti duash e të kesh dhembshuri për ta. Morali i bukur është të jesh i përmbajtur, të mos gënjesh apo të mashtrosh, të mos tallesh, të mos paragjykosh të tjerët e të mos kesh smirë për askënd!”- tha ai.
Më tej, Z. Elton Karaj, në fjalën e tij e vuri theksin mbi 3 muajt e begatë që po afrojnë dhe mbi netët e mira. Pasi bëri një përmbledhje të shkurtër të rëndësisë së adhurimit gjatë këtyre muajve ai u shpreh se këta muaj nuk duhet të kalojnë në të njëjtën formë si muajt e tjerë.
“Ne si besimtarë e kemi të diktuar nga jeta e Profetit a.s se si shfrytëzohet koha për të fituar sa më shumë sevape dhe për të synuar kënaqësinë e Allahut të lartë madhëruar. Ne duhet të ngrihemi larg nga kënaqësitë e kësaj botë për të punuar fort në bukuritë e adhurimit.”- u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Programi vazhdoi më tej me diskutime të ndryshme.