Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dënon ashpër sulmin terrorist në qytetin e Parisit dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e kësaj ngjarjeje.

Ngjarjet në vazhdim të terrorit në botë dhe së fundmi në Francë na kanë tronditur të gjithëve, si besimtarë dhe si qytetarë që dëshirojmë të jetojmë në paqe e liri.  Ne dënojmë akte të tilla të shëmtuara, të cilat bien ndesh me mësimet dhe parimet humane të Islamit, madje dhe të gjitha kulturave religjioze e civilizuese.

E vërteta e besimit Islam është paqe, dashuri, drejtësi e mëshirë. Çdo aktivitet terrorist, nuk ka rëndësi nga kush është ndërmarrë ose për çfarë qëllimi, është një goditje e rëndë për paqen, demokracinë dhe njerëzimin. Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore. Islami nuk e pranon terrorizmin në asnjë formë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shpreh edhe një herë ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit francez, si dhe i uron shërim të shpejtë të lënduarve. Ne bashkohemi me dhimbjen e tyre dhe urojmë që drejtësia të veprojë sa më shpejt.

14 Nëntor 2015
KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë