konferenca-e-liderve-te-ballkanit-18-maj-2013-15

 Konferenca e Kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit tashmë është kthyer në traditë që nga viti 2007, kur u organizua për herë të parë në Sofie të Bullgarisë. Konferenca e dytë u mbajt më 8 mars 2008 në Podgoricë të Malit të Zi, e treta më 4 shtator 2009 në Bukuresht të Rumanisë, e katërta më 12 maj 2010 në Prishtinë, Kosovë, e pesta më 29 mars 2011 në Shkup, Maqedoni, dhe këtë vit, e gjashta, më 18 maj 2013 në Tiranë, Shqipëri, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, nën kujdesin e Presidentit të Republikës SHTZ. Bujar Nishani. Kjo konferencë tashmë prej vitesh mbart një detyrë të rëndësishme mbi vete.

Në konferencën e organizuar në Tiranë me temë: “Roli i Islamit dhe prijësve fetarë në zgjidhjen e problemeve sociale dhe shpirtërore”, ne si Kryetarë të Bashkësive Islame të Ballkanit duam të ndajmë me opinionin publik vendimet që morëm sot bashkërisht:

 

  1. Si përfaqësuesit më të lartë të bashkësive islame bëjmë me dije se, rruga që duhet të ndiqet nga ana e prijësve islamë në shërbimet e tyre fetare është rruga e Profetit a.s. dhe e shokëve të tij, rrugë e cila nuk nxit urrejtje dhe nuk vështirëson, por vetëm përgëzon, lehtëson, si dhe ofron zgjidhje për problemet e shumta sociale dhe shpirtërore.
  2. Si përfaqësues dhe liderë të fesë islame, i bëjmë të ditur dhe i rikujtojmë edhe një herë komuniteteve (shoqërive) tona, se njerëzit e çdo feje, gjuhe dhe kombi, kanw jetuar prej shekujsh në këto troje në paqe dhe harmoni, e arritur kjo përmes përjetimit të fesë së lartë islame, e cila ka qenw njw faktor shumw i rwndwsishwm për krijimin e kushteve të bashkëjetesës midis popujve tanë.
  3. Ne besojmë se prijësit fetarë, në shërbimet e tyre në çdo fushë, do të bëjnë të mundur zgjidhjen e problemeve shpirtërore dhe sociale, duke u edukuar mirë, sipas Traditës Profetike dhe duke mbartur mbi vete cilësi të tilla si: dashuria, mëshira, dhembshuria dhe toleranca, si dhe duke qenë të hapur për të dialoguar lehtësisht me çdo njeri.
  4. Do të bëhen investime në burimet njerëzore të punonjësve fetarë, duke pasur parasysh se ata mbartin profesionin profetik dhe si të tillë pranohen edhe nga komunitetet tona. Kështu që, ata do t’i kontribuojnë shoqërisë me shembullin e tyre personal për të bërë të mundur që ata të jenë personat e parë tek të cilët njerëzit do të kërkojnë rrugëdalje për problemet e tyre. Për të arritur këtë, do të investohet në kualifikimin e tyre teologjik dhe profesional në nivelet më të larta.
  5. Nga ana jonë do të tregohet një kujdes i veçantë që prijësit fetarë (myftinjtë dhe imamët) jo vetëm të përzgjidhen, por edhe të edukohen e arsimohen me dije të tilla si shkencat islame, shkencat ekzakte, të dinë gjuhë të huaja, pedagogji, dhe të kenë njohuri të thella sociale, në mënyrë që t’i përgjigjen nevojave të shoqërisë dhe realitetit të sotëm bashkëkohor.
  6. Vlerat e pranuara sot botërisht, siç janë principet e të drejtave të njeriut dhe zbatimi i tyre, janë aplikuar dhe i janë përçuar mbarë botës, shekuj më parë nga Profeti Muhamed (a.s.). Kështu që, mesazhi universal i fesë Islame, duhet të lexohet dhe shpjegohet qartë dhe duke ecur nëpërmjet kësaj rruge, të bëhet e mundur zgjidhja e problemeve shpirtërore të individëve dhe shoqërisë. Gjithashtu do të bëhet e mundur që, nëpërmjet punonjësve tanë, të përçohet mesazhi i Islamit, si një mesazh i dashurisë, paqes dhe harmonisë dhe të bëhet e ditur se, dhuna në përgjithësi dhe ajo ndaj gruas në veçanti, si dhe çdo sjellje tjetër devijante, nuk kanë lidhje aspak me Islamin.
  7. Bëjmë të ditur se, përpjekjet e viteve të fundit për të njësuar me terrorin fenë e madhëruar Islame, e cila është fe e paqes dhe e harmonisë, janë të papranueshme. Prandaj, deklarojmë se është e padrejtw që të hiqen vija paralele mes Islamit dhe terrorit.
  8. Ne do të bëjmë të mundur që, librat dhe veprat Islame që janë shkruar gjatë historisë së kulturës islame në fushat teologjike si: tefsir, fik’h, hadith dhe disiplina të tjera të rëndësishme islame, të pasurohen me komente të reja, duke iu përgjigjur nevojave të kohës në të cilën jetojmë. Kështu, këto vepra do të shfrytëzohen nga punonjësit fetarë, për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit dhe shoqërisë ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre.
  9. Ne mendojmë se, vepra të tillla si: “Enciklopedia Islame”, “Islami me Hadithe” dhe “Rruga e Kur’anit”, të hartuara nga qindra studiues me emër të fushave përkatëse dhe të botuara nga Komuniteti Mysliman i Turqisë (DIYANET-i), të përkthehen në gjuhët tona, për t’i shërbyer lexuesve dhe studiuesve të ndryshëm.
  10. Ne denoncojmë dhunën e ushtruar muajt e fundit në Myanmar dhe disa vende të tjera ndaj myslimanëve, objekteve të kultit islam, vrasjen e prijësve fetarë dhe civilëve të pafajshëm. Ne kërkojmë që këto akte të shëmtuara të marrin fund dhe personat përgjegjës për to, të gjenden sa më parë dhe t’i dorëzohen drejtësisë.
  11. Ne kërkojmë sot edhe njëherë që, bashkëjetesa që vjen nga shekujt midis myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve, të forcohet edhe më tej në dobi të vendeve tona, sepse bashkëjetesa dhe harmonia e Ballkanit përbën një faktor të rëndësishëm për paqen në botë.
  12. Ne vëmë re se problematika e Bashkësisë Islame të Sanxhakut, i sjell dëm komunitetit të myslimanëve atje, kështu që lutemi dhe shpresojmë nga thellësia e zemrës, që të arrihet konsensusi dhe vëllazërimi, duke bërë të mundur që edhe përfaqësia islame e këtij vendi të jetë e pranishme në takime dhe konferenca të tilla.
  13. Shprehim falënderimet dhe konsideratat më të larta ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë SHTZ. Bujar Nishani, Kryeministrit të Shqipërisë SHTZ. Sali Berisha, si dhe ndaj të gjithë faktorëve të tjerë për mbështetjen në realizimin e kësaj konference.
  14. Falënderojmë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe Komunitetin Mysliman të Turqisë për kontributin e dhënë në organizimin e konferencës së 6-të të Kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit, si dhe shprehim falënderimet tona për të gjithë liderët islamë të rajonit.

 

Kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit

Tiranë, 18 Maj 2013  

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë