Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti sot në një vizitë në selinë e institucionit, Delegacionin e Unioneve të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Gjermani, Austri dhe Itali.

Ky delegacion gjendet prej disa ditësh në Shqipëri, ku sëbashku me përfaqësues të KMSH-së kanë vizituar nga afër zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe në koordinim me këta të fundit do të vlerësojnë dhënien e kontributeve të mbledhura nga thirrjet në xhamitë respektive.

Në fjalën e tij, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi shprehu falënderimet e tij për vizitën, solidarizimin dhe mbështetjen institucionale të këtyre bashkësive Islame, u ndal në frymën e bashkëpunimit që duhet të karakterizojë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të vendit në kalimin e situatave të tilla.

Ndërsa përfaqësuesit e unioneve të pranishëm në këtë takim, shprehën jo vetëm gatishmërinë e institucioneve që përfaqësojnë por edhe mesazhet solidarizuese të shqiptarëve që jetojnë në vendet respektive të këtyre bashkësive Islame.

Bashkëbisedimi ndërmjet tyre vazhdoi më tej me diskutimin e bashkëpunimeve të tjera të mundshme në të ardhmen.

Në fund të takimit, Kryetari i KMSH-së, u dorëzoi të pranishmëve disa certifikata mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributet e ndryshme të dhëna deri më tani nga këta bashkësi Islame.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë