Një delegacion nga Shqipëria i kryesuar nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj, me ftesë zyrtare nga Arabia Saudite, mori pjesë në vizitën e Umres në programin “Miqtë e Mbretit”, organizuar nga Ministria e Vakëfit dhe Çështjeve Islame në Arabinë Saudite.
Programi “Miqtë e Mbretit” mblodhi 1000 myslimanë nga e gjithë bota për të shtuar vëllazërinë dhe bashkëpunimin mes besimtarëve. Nga Shqipëria ishin të ftuar 20 veta.
Në vizitën 10 ditore, delegacioni shqiptar ka qëndruar katër ditë në Medine, ku vizituan Xhaminë e Profetit (Mesxhidul Nebewi), si dhe zhvilluan një takim dhe bashkëbisedim me njërin nga imamët e kësaj xhamie. Ata vizituan githashtu disa nga vendet e shenjta si kodra e Uhudit, Mesxhidul Kuba dhe Mesxhidul Kibletejni.
Gjatë qëndrimit në Medine, gjithashtu u vizitua edhe shtypshkronja ku shtypet Kurani Famëlartë në të gjitha gjuhët e botës.
Pas këtyre vizitave delegacioni u zhvendos në Mekë, ku dhe kryen ritualin e Umres. Gjatë qëndrimit në Mekë ata zhvilluan edhe një takim me imamin e Qabes, ku diskutuan për çështje të ndryshme lidhur me perceptimin e Islamit në kohët e sotme.
Gjithashtu gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në vendet e shenjta, disa përfaqësues nga Komuniteti Mysliman u pritën nga Princi i Medines dhe ai i Mekës.
Në një prononcim për mediat vendase, kryetari i Komumunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj falenderoi organizatorët dhe mbretin e Arabisë Saudite Salman bin Abdulaziz, për ftesën dhe mikpritjen.
30 prill 2016