Nga H. Bujar Spahiu
Motra dhe vëllezër besimtarë, në muzgun e ditës së sotme futemi me lejen e Zotit në dhjetë ditët e Dhul Hixhes.
Allahu i Madhëruar është Krijuesi dhe Njohësi absolut i gjithçkaje që ne njohim e nuk njohim, ndër to, është Krijuesi i Kohës, si i Tillë i Ai zgjedh të shënjojë edhe Kohën.
Ne na takon të ndjekim me përpikmëri këshillat dhe urdhëresat që na janë dhënë nga Allahu nëpërmjet Kuranit Famëlartë dhe Profetit Muhamed (a.s.).
Zoti i Gjithëdijshëm, ashtu siç ka zgjedhur Ramazanin, Natën e Kadrit, Ditën e Xhuma, Ditën e Arafatit, ka veçuar edhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul-hixhe.
Zoti i Lartësuar përdor shenja të veçanta për t’i dhënë rëndësi diçkaje, për dhjetë ditët për të cilat po flasim, Ai betohet në Kuran:
“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët (e para të muajit dhul-hixhe)!” (El-Fexhr, 1-2).
Ai është Allahu, Betimi i Tij është mirësi e madhe për ne, për të kuptuar rëndësinë e kohës, vendit apo një adhurimi të caktuar.
Në këto dhjetë ditë besimtari duhet të shtojë vëmendjen dhe rrisë vigjilencën ndaj adhurimeve, përkushtimit në të vepruarit e veprave të cilat janë të lavdëruara te Allahu.
Ai i di nevojat tona më mirë se ne vetë, kjo është e padiskutueshme, dhe urtësia pse këto ditë janë të zgjedhura i takon vetëm Atij.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh. Nuk u takon atyre zgjedhja. I lartësuar qoftë Allahu nga ajo që i shoqërojnë.” (el-Kasas, 68)
Dhul-hixhe është muaji ku bëhet nisja për haxh:
“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (el-Bekare, 197)
Fatkeqësisht për besimtarët nga mbarë bota, jasht arabisë, është viti i dytë që nuk mundën të shkojnë në haxh, kështu që vlerësimi i këtyre ditëve merr një vlerë edhe më të lartë.
Prej besimtarit pritet që këto 10 ditë kaq me vlerë tek Zoti, t’i mbushë me ibadet dhe vepra të mira. Në një hadith, Pejgamberi (a.s.) thotë:
”Gjatë jetës tuaj, Zoti u dërgon puhiza, prandaj ekspozohuni ndaj tyre.”
Në këto ditë përvëluese vere, ky dhjetë ditësh është vërtetë një puhizë që nuk duhet të neglizhohet.
Sahabët e Pejgamberit (a.s.) e përmendnin shpesh Zotin këto 10 ditë, brenda shtëpisë, brenda në xhami dhe kudo ku lëviznin jasht.
Një vepër e pëlqyer këto ditë është edhe dhënia e sadakës, shpërblimi i të cilës shumëfishohet.
Është një kohë me temperatura të larta, por preferohet gjithashtu edhe agjërimi i 9 ditëve të dhul-hixhes, e në veçanti agjërimi i ditës së Arafatit, pasi Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”Agjërimi i ditës së Arafatit, i fshin gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.”
Ëmbëlsia dhe shpërblimi i adhurimeve në kushte të vështira është i paçmueshëm te Allahu (xh.sh.).
Ju uroj gjithë besimtarët për këto dhjetë ditë të bekuara dhe na gjettë Kurban Bajrami gëzuar!