“Dobitë shpirtërore dhe ato fizike të muajit të Ramazanit”, ishte kjo tema e hutbes së radhës që Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mbajti në xhaminë e re të Paskuqanit.
Duke e ilustruar fjalimin e tij me shembuj të shumtë nga jeta e Profetit Muhamed a.s, Kryetari Spahiu, veçoi një sërë argumentesh që e bëjnë Ramazanin muajin e ftesës hyjnore, muajin e mëshirës, faljes, solidaritetit dhe shpërblimeve të panumërta të Allahut xh.xh.
“Muaji i agjërimit është muaji ku njeriut i bëhet thirrje që veprimtaritë tona të përditshme të kalojnë në një kritikë të atillë sa ta bëjnë atë të fitojë njohuri më reale të qëllimit dhe jetës së tij, ta përafrojnë atë sa më shumë drejt origjinës së tij shpirtërore, drejt Zotit të Gjithësisë”- tha ai gjatë referimit të tij.
Në fund ai u bëri thirrje dhjetëra besimtarëve të pranishëm për të falur namazin e xhumasë ti shtojnë adhurimet dhe veprat e pëlqyera te Zoti i Gjithësisë veçanërisht gjatë këtij muaji, pasi edhe shpërblimet në këtë muaj llogariten shumëfish më të mëdha sesa gjatë muajve të tjerë të vitit.